Shefi i BE-së në Serbi, Emanuele Gaufret në takimin me ministrin e Brendshëm, Aleksander Vulin të premten i ka thënë atij se BE-ja ka qëndrim të qartë se kriminelët e luftës s’duhet të lartësohen ose të mohohen. Kjo pas skandalit me muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq në qendër të Beogradit.
Vulin dhe Giaufret diskutuan mbi ndodhitë e ditëve të fundit, ku shefi i BE-së në Serbi i ka thënë atij qartë se duhet të përmbahen nga lartësimi i kriminelëve të luftës dhe nga mohimi i krimeve të luftës për të promovuar pajtimin.
Zyrtari evropian ia kujtoi poashtu se organizatat joqeveritare dhe organizatat që angazhohen për të drejtat e njeriut luajnë rol në ngritjen e vetëdijes së të drejtave civile dhe politike, dhe ato duhet të lejohen të punojnë pa u penguar.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin ka thënë se ministria e tij mbron të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që ishin në protestë pavarësisht nëse ishin pro apo kundër muralit të kriminelit të luftës Mlladiq.
Të mërkurën disa aktivistë serbë janë sulmuar dhe më pas arrestuar pasi kishin hedhur vezë në drejtim të muralit të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Murali është mbrojtur nga forcat policore dhe anëtarë të lëvizjeve të djathta në Serbi.
Lidhur me incidentet ka reaguar edhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq, i cili ka thënë se në Serbinë e Vuçiqit arrestohen njerëzit që i kundërshtojnë muralet e kriminelëve e jo ata që i bëjnë ato murale.
Kjo pasi dje aktivistja serbe Aida Corovic është sulmuar dhe më pas arrestuar, pasi kishte gjuajtur me vezë muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq që gjendet në Beograd.
Tadiq ka shprehur përkrahjen për aktivisten duke thënë se kjo është praktikë në regjimin e Vuçiqit.
“Në Serbinë e Vuçiqit nuk arrestohen ata që bëjnë murale të kriminelëve të luftës dhe festojnë për ta por ata që i kundërshtojnë këto murale. E përkrahi Aida Coroviqin dhe të ata që kanë kurajo të kundërshtojnë regjimin që i feston krimet”, ka thënë ai.