Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeShea me një strategji për Kosovën rreth pakicës serbe, ka një porosi...

Shea me një strategji për Kosovën rreth pakicës serbe, ka një porosi për Kurtin e VV-në

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka shkruar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe acarimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në.

Shea thotë se mësimi për Prishtinën është se me minoritetin serb nuk mund të funksionojnë masat e një anshme, të papërgatitura mirë dhe të komunikuar në mënyrë të keqe. Sipas Shea, veprime të tillë vetëm i largojnë ata nga Prishtina në vend se ti inkurajojnë për integrim.

Duke e parë këtë, Shea ka hartuar një strategji që sipas tij do të ndihmonte Kosovën në situatën që gjendet.

Si pikë të parë ai propozon që kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të tërhiqen nga retorika e ngushtë nacionaliste dhe të ndryshojnë komunikimin me pakicën serbe. Shea thotë se është evidente që në veri ka banda kriminale që kontrollohen nga Beogradi, por thotë se Kosova gjithmonë flet për pakicën serbe vetëm për dhunën, ngatrrestarët dhe përfshirjen e Beogradit, në vend të diskutimit për ankthet e serbëve dhe bërjes së hapave për t’u afruar me ta.

“Nëse një grup ose komunitet i tërë përshkruhet gjithmonë si një grup renegatësh dhe rebelësh, atëherë nuk duhet të jetë befasi nëse fillon të veprojë në përputhje me rrethanat”, shkruan Shea, raporton Express.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për një strategji komunikimi që parandalon vendimet dhe reagimet pa konsultime.

“Ajo duhet të përgatisë terrenin me kujdes duke u angazhuar me fokus grupe dhe udhëheqës dhe influencues lokalë serbë. Ajo duhet të bëjë një punë shumë më të mirë duke i shpjeguar përfitimet sesa dënimet komunitetit serb me masat administrative që po planifikon”, shkruan Shea.

Ai thotë se hapi i parë drejt normalizimit është bindja e serbëve që të kthehen në institucione pa sanksione. Shea përmend rëndësinë e ndërtimit të besimit në mes të komuniteteve shumicë dhe pakicë.

Shea shprehet se komuniteti serb e sheh themelimin e Asociacionit si dëshmi të mirëbesimit, ndërsa thotë se për Kosovën është e rrezikshme t’i japë serbëve një shkallë autonomie derisa Beogradi refuzon pavarësinë e saj.

“Për Prishtinën, ka rreziqe të mëdha për t’i dhënë serbëve një shkallë autonomie në një kohë kur Beogradi ende refuzon me vendosmëri të njohë pavarësinë e Kosovës dhe t’i mundësojë asaj të ndihet e sigurt brenda kufijve të saj. Kosova shikon me shqetësim situatën në Bosnje dhe Hercegovinë ku entiteti serb, Republika Srpska – e udhëhequr nga nacionalisti i zjarrtë serb Milorad Dodik – ka bllokuar reformat politike dhe ekonomike në vend, ka kundërshtuar marrëdhëniet e saj me BE-në dhe NATO-n dhe ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërhiqe tërësisht entitetin nga Bosnja”, shkruan Shea

Shea thotë se Asociacioni është bërë një kusht i nevojshëm për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe marrëdhëniet e Kosovës me komunitetin serb.

“Prishtina duhet të merret me çështjet ligjore dhe kushtetuese, jo të fshihet pas tyre dhe të pajtohet për një format e ta zbatojë atë. Ashtu si me të gjitha formcat e decentralizimit, ai nuk ka nevojë të jetë fjala përfundimtare, por të modifikohet me zhvillimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”, tha Shea./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments