Friday, September 20, 2024
HomeBotaShBA-ja i ka thënë Izraelit t’i pakësojë sulmet: Ka ankesa globale, koha...

ShBA-ja i ka thënë Izraelit t’i pakësojë sulmet: Ka ankesa globale, koha s’është në anën tuaj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë inkurajuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Izraelit që t’i pakësojnë sulmet në Gaza, tha të martën një person me njohuri rreth këtyre diskutimeve.

Siç raporton gazeta britanike, Daily Mail, zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë theksuar para izraelitëve të hënën dhe të martën se koha nuk është në anën e tyre në aspektin e ankesave ndërkombëtare rreth sulmeve ajrore izraelite dhe raketave të Hamasit dhe se është në interesin e tyre që t’i pakësojnë sulmet së shpejti, sipas këtij zyrtari, që nuk ishte i autorizuar t’i komentojë bisedimet private dhe i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas zyrtarit, anëtarët e kabinetit të qeverisë amerikane kanë shkuar edhe më tej duke i dërguar mesazhe Netanyahut. Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, Bideni ka shprehur përkrahje për armëpushim në telefonatën me Netanyahun të hënën, shkruan Daily Mail.

Ambasadori i Palestinës në Kombet e Bashkuara e sfidoi të martën administratën e Bidenit duke i kërkuar që t’i shfaqë rezultatet e asaj që po e quan diplomaci  të qetë për t’i ndalur përleshjet e reja mes Izraelit dhe Hamasit. Ambasadori Riyad Mansour e përmendi bllokimin e veprimeve të Këshillit të Sigurimit nga ShBA-ja dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane që të bëjë më shumë për zgjidhjen e problemit.

Shtetet e Bashkuara ndodhen nën presion të madh ndërkombëtar që të heqin dorë nga refuzimi i një deklarate të OKB-së me të cilën do të bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Egjipti ka bërë thirrje për ndërmjetësim në përfundimin e luftimeve, ndërsa Franca kërkoi rezolutë të Këshillit të Sigurimit rreth dhunës mes dy palëve, në kohën kur trysnia e diplomacisë ndërkombëtare po shtohet.

Jordania gjithashtu ka lobuar në mënyrë intensive për ndërprerjen e dhunës dhe i është bashkuar thirrjes së Francës për paraqitjen e një rezolute që garanton lehtësim urgjent humanitar.

Përkrahje për thirrjen e Francës ka ofruar edhe Kina. Ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha para gazetarëve se ekipi i tij ka dëgjuar për propozimin e Francës për armëpushim dhe se Kina e përkrah atë.

Presidenti i Francës, Emannuel Macron, tha të hënën se do të punojë me presidentin e Egjiptit dhe Mbretin e Jordanisë për një propozim konkret për armëpushim dhe për rrugën e mundshme drejt bisedimeve mes Izraelit dhe Palestinezëve

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments