Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të martën shfaqën shqetësim serioz për “retorikën përçarëse” në Bosnjë e Hercegovinë dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që t’i respektojnë institucionet shtetërore.
Në deklaratën e përbashkët të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe shefit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë “të bashkuar në përkrahjen e tyre të vendosur për integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës si dhe për punën e tyre të përbashkët për ta promovuar reformën zgjedhore e kushtetuese dhe për ta mbajtur funksionalitetin e institucioneve shtetërore”.
Deklarata e përbashkët u lëshua pasi ligjvënësit në Republikën Serbe, pjesë e Bosnjës, miratuan një ligj të ri që mund ta minojë kushtetutën e këtij shteti, shkruan Free Europe.
Ligji për Pajisje dhe Ilaçe Mjekësore – i miratuar të mërkurën nga Kuvendi Kombëtar i Republikë Serbe – e parasheh themelimin e Agjencisë për Pajisje dhe Ilaçe Mjekësore si “organizatë e pavarur administrative” me “statusin e entitetit ligjor”.
“Nuk ka rrugë kushtetuese që njëri entitet të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore”, tha Ambasada e ShBA-së në Bosnjë në një deklaratë për Radion “Evropa e Lirë”, pasi ligji i ri u miratua.