Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaSHBA, BE e Mbretëria e Bashkuar ende s’iu kanë dhënë përgjigje parlamentarëve...

SHBA, BE e Mbretëria e Bashkuar ende s’iu kanë dhënë përgjigje parlamentarëve që kërkuan që Kosova e Serbia të trajtohen barabartë

56 parlamentarët e Europës dhe SHBA-së, që hartuan një letër të përbashkët dhe ia dërguan Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, Kryediplomatit të BE-së Josep Borrell dhe Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly me kërkesën për balancë në politikat ndaj Kosovës dhe Serbisë, ende nuk kanë marrë përgjigje prej ndonjërës prej këtyre tri kryeqendrave.

Raportuesi për Ballkanin Perëndimor në Bundestagun gjerman, Adis Ahmetovic, që ishte njëri prej nënshkruesve në këtë letër, tha për Gazetën Express se ende s’kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Deri më tani, nuk kemi pranuar një përgjigje për këtë çështje”, tha ai.

Të njëjtën për Express e konfirmoi edhe eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, por ky tha se po e mbajnë një sy mbi këtë çështje.

“Ne nuk kemi pranuar përgjigje për letrën që kërkon një qasje më të balancuar drejt Kosovës dhe Serbisë, por sigurisht që po e mbajmë nën vëzhgim këtë”.

Letra u dërgua në fillim të gushtit. Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian më herët patën konfirmuar për Express se kanë marrë letrën. Ndërkaq, nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se këtë s’e komentojnë.

Britanikët thanë se do t’i përgjigjen deputetëve në “kohën e duhur”, derisa BE-ja e kishte dhënë një përgjigje jo të drejtpërdrejtë për ta.

“Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet. BE-ja është një lehtësues neutral në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Parlamentarët, në mesin e të cilëve ishin edhe 10 kryetarë të komisioneve të punëve të jashtme, iu shkruan tre liderëve me ankesën se qasja aktuale e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë s’po është frytdhënëse.

“Ne shkruajmë për të ngritur shqetësimet tona për politikën aktuale të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Ne besojmë se ngjarjet dhe krizat e fundit kanë nxjerrë në pah të metat në qasjen tonë kolektive dhe do të kërkonim që ajo të rishqyrtohej”, thuhet në fillim të letrës.

Ata thanë se fokusi i tyre duhet të mbetet në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën e vazhdueshme euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, por se trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen në de-përshkallëzimin dhe parandalimin.

“Bojkoti i zgjedhjeve komunale nga serbët e Kosovës më 23 prill, sulmi i mëvonshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj dhe ndalimi arbitrar i policëve kosovarë nga autoritetet serbe më 14 qershor, të gjitha tregojnë drejt një përkeqësimi të shpejtë të situatës, e cila jo vetëm që kërcënon dialogun Beograd-Prishtinë, por edhe vetë paqen rajonale. Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Serbi-Kosovë nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme”, u tha ne letër.

Ata potencuan se Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale dhe se ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë kolektive ndaj krizës aktuale.

Parlamentarët nga Europa e SHBA kërkuan ushtrimin e një diplomacie parandaluese ndaj dy vendeve ballkanike, derisa thanë se marrëveshja e arritur në Bruksel e Ohër të zbatohet.

“Ne kërkojmë që të kthehet ekuilibri dhe proporcionaliteti në marrëdhëniet me Kosovën dhe Serbinë”.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, pati publikuar përmbajtjen e plotë të letrës dhe të gjithë ata që dhanë nënshkrimet.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments