SHBA-ja autorizoi sot vaksinën antiCOVID-19 të Pfizer/BioNTech për moshat 5 deri në 11 vjeç, duke i hapur rrugën nisjes së afërt të një faze të re madhore të fushatës së imunizimit, që ka të bëjë me 28 milionë fëmijë në vend.
Kjo leje emergjente nga Agjencia amerikane e Barnave (FDA) u dha pas shqyrtimit të kujdesshëm të rezultateve të provave klinike të kryera nga Pfizer mbi disa mijëra fëmijë.
“Si nënë dhe mjeke, e di që prindërit, kujdestarët, mësuesit dhe fëmijët e kanë pritur me padurim këtë leje”, tha në një deklaratë Janet Woodcock, komisionere e FDA, raporton ATSh.
“Vaksinimi i fëmijëve të vegjël kundër COVID-19 është një hap shtesë drejt kthimit në normalitet”, këmbënguli ajo.
Të martën u mblodh një komision ekspertësh të pavarur dhe pas një dite diskutimi u shpreh pro imunizimit të fëmijëve 5-11 vjeç me këtë vaksinë.
Sipas provave klinike, vaksina është treguar të jetë 90,7 për qind efikase në parandalimin e formave simptomatike të sëmundjes në këtë grupmoshë.