Opinionisti Blerim Shala, po vlerëson se raportet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërlikuara, ngjashëm sikurse emisari Special për Ballkanin Perëndimor të Administratës Amerikane, Gabriel Escobar i cili një gjë të tillë e tha para disa ditëve.
Escobar, në anën tjetër, edhe në intervistat e tij për media, megjithë dykuptimësive të rëndomta diplomatike, ka porosi të qarta në vlerësimin e gjendjes së tanishme në rajon, dhe në përshkrimin e situatave konkrete në raportet e SHBA-së me shtetet e veçanta të Ballkanit Perëndimor.
Pak ditë më parë, në pyetjen e Al Jazeera-s për Ballkan, se si i vlerëson marrëdhëniet e SHBA-së me Serbinë, Escobar u përgjigj në këtë mënyrë: Këto raporte nuk janë të këqija dhe as të mira, por janë të ndërlikuara.
Tutje, Shala thotë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do ta ketë të vështirë të luajë në disa letra politike ndërkombëtare, duke i përdorur ato në bisedimet e Brukselit, por po ashtu edhe për Integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Në këtë kontekst, duket që lideri serb do ta ketë gjithnjë e më vështirë të luajë në disa letra politike ndërkombëtare, duke i përdorur ato, midis tjerash, në fuqizimin e pozicionit të vet negociator si në bisedimet e Brukselit me instancat më të larta të Kosovës, ashtu edhe në negociatat me autoritetet e BE-së për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Shala.
Shala tha se Vuçiq njëkohësisht synon që Serbia të bëhet pjesë përbërëse e BE-së, të ketë marrëdhënie të mira me SHBA-në, të ruajë miqësinë politike me Rusinë e Vladimir Putinit, dhe bashkëpunimin ekonomik me Kinën e Xi Jinping-ut.
“Vučić pak a shumë ju thotë bashkëbiseduesve të tij evropianë dhe amerikanë që do të përcaktohet seriozisht dhe qartë sa i përket prioriteteve të tij të jashtme, atëherë kur Brukseli (BE-ja), jap shenja serioze dhe të qarta se kur Serbia do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian, gjë që do të mund të nënkuptonte edhe zvogëlimin e rolit të Rusisë dhe të Kinës në Serbi”.