Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2022, në kuadër të të cilit dy milionë euro janë dedikuar për Luginën e Preshevës.
Një gjë e tillë është mirëpritur nga deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi.
“Vendim pozitiv buxhetimi prej 2 milionë euro për Luginën e Preshevës në Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2022, nga ana e Qeverisë së Kosovës. Plotësimi i kësaj kërkese dhjetëvjeçare të përfaqësuesve institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës është i rëndësishëm, sepse shmang vendimet ad hoc qeveritare”, shkruan Kamberi në Facebook.
Sipas tij, buxhetimi i Luginës së Preshevës nga Kosova duhet të shoqërohet edhe me hartimin e një plani dhe programi shtetëror, si dhe funksionalizimin e një organi qeveritar.
“Këto janë politika dhe praktika që zbatohen nga shtetet demokratike dhe anëtarë të Bashkimit Evropian”, shprehet Kamberi.