Profesori amerikan universitar i njohur edhe si njohës i çështjeve politike të Ballkanit, Daniel Serwer, pretendon se dokumenti jozyrtar, i ashtuquajturi “non-paper” është më shumë në interes të Beogradit sesa të Prishtinës.
Sipas politika.rs, Serwer vuri në dukje se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte të drejtë kur u tha se po ofronte “më shumë se plani i Ahtisaarit”.
Në këtë artikull thuhet se Serwer postoi në blogun e tij “Peacefare.net” se propozimi do ta linte “shtetin e Kosovës” shumë më pak sovran sesa është sot, ndërsa Beogradit do t’i kërkohet të bëjë pak më shumë se kaq, të ketë një përfaqësues në Prishtinë.
Ai beson se me këtë “non-paper”, Prishtina nuk do të merrte praktikisht asgjë, siç thotë ai, as njohje bilaterale nga Serbia as anëtarësim në Kombet e Bashkuara, por vetëm “premtime të paqarta për të vepruar me një shtet sovran”.
Po ashtu thuhet se Serwer njoftoi se brenda pak ditësh do të botonte një “non-paper ” të tij për Ballkanin Perëndimor në blogun e tij, i cili, siç deklaroi ai, do të ishte në përputhje me politikën zyrtare amerikane të respektimit të sovranitetit dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve të Ballkanit.
“Non-paper” u raportua si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, dokumenti “non-paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.
Një “non-paper”, në të cilin paraqitet procesi që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është publikuar dje. Letra thuhej se jetë një nismë gjermano-franceze, mirëpo, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur lajm të rremë.
Letra, që është dërguar, thotë se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.