Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaSerbia po arreston kosovarë, institucionet thirrje ndërkombëtarëve për reagim

Serbia po arreston kosovarë, institucionet thirrje ndërkombëtarëve për reagim

Qytetarët që po kalojnë nëpër Serbi nuk janë aspak të sigurt. Shumë prej tyre viteve të fundit janë ndaluar, arrestuar e paraburgosur si të dyshuar për krime lufte. Vetëm sivjet u arrestuan tre kosovarë që po shfrytëzonin pikëkalimet kufitare me Serbinë për të udhëtuar drejt vendeve evropiane. Ndërkaq, institucionet e Kosovës vazhdimisht po bëjnë thirrje që të shmangen kalimet përmes pikave kufitare me Serbinë. Për këto ndalime së fundmi u deklaruan edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë është arrestuar të shtunën në pikëkalimin kufitar në Merdarë. Bëhet fjalë për Tefik Mustafën që u arrestua me 1 qershor teksa po kalonte andej.

Sipas MUP-it serb, Mustafa dyshohet se “që si pjesëtar i UÇK-së, në deklaratat e dëshmitarëve është përmendur si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

E nuk është vetëm Mustafa që e pati këtë fat sivjet.

Më 17 prill të këtij viti u arrestua edhe Sadik Duraku. Duraku , i cili është edhe shtetas britanik, u arrestua më 17 prill të këtij viti në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë. Sipas autoriteteve serbe, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”. Autoritetet serbe dyshojnë se Duraku, “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Pikërisht me 17 prill,  në pikëklaimin kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë u bllokuan disa autobusë, e u ndaluan disa kosovarë.

Në mesin e të ndaluarve atë ditë ishte edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç. Ai u lirua pastaj.

Përveç Mustafës dhe Durakut, i arrestuar këtë vit është edhe Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai është arrestuar më 6 janar në pikën kufitare Merdare.

Aktakuza kundër tij nuk është publikuar ende. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë për bashkëpunim në krime lufte kundër popullatës civile.

Institucionet thirrje për shmangie të kalimit përmes pikave kufitare me Serbinë

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje që qytetarët të shmangim kalimet përmes pikave kufitare me Serbinë.

Pas arrestimit të Tefik Mustafës, MPDJ njoftoi se i ka njoftuar “misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd si dhe i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”.

Ata kanë dënuar ndalimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia, teksa kanë njoftuar edhe shtetet e QUINT-it mbi këtë veprim të Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. MPJD për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e QUINT-it në Kosovë dhe do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Arrestimi i kosovarëve në Serbi, DASH bën thirrje për proces të drejtë ligjor

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90, dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij, dhe personave tjerë të arrestuar nën dyshimet e njëjta.

Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë, në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.

Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Kosovarët që u dënuan nga Serbia ndër vite

Arrestime nga Serbia pati ndër vite. Madje disa u shpallën fajtorë dhe po vuajnë dënimin.

Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Lartë në Beograd e shpalli Petrit Dulën fajtor për krime lufte në një fshat afër Gjakovës, në vitin 1999, derisa ai ishte pjesëtar i UÇK-së.

Mirëpo, në prill të vitit 2023, ai është shpallur i pafajshëm.

Megjithatë, ai e ka kryer në Beograd dënimin e gjykatës së shkallës së parë prej dy vjetësh burgim.

Në vitin 2018, Ramadan Maloku është arrestuar dhe është akuzuar për një krim në Nerodime të Epërme në komunën e Ferizajit.

Duke pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mars 2019, ai është dënuar me një vit e gjysmë burgim.

Në nëntor të vitit 2016, Hilmi Kelmendi është arrestuar nën akuzën për krime lufte, por Prokuroria e ka pushuar ndjekjen penale, dhe pas disa ditësh ai është liruar.

Në prill të vitit 2012, Mark Kashnjeti është arrestuar dhe gjykuar për krime kundër civilëve në Prizren, Kosovë. Ai është shpallur i pafajshëm më vonë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments