Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se vendimi për regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 është problematik.
“Diçka nuk është duke funksionuar. Mendoj se është e domosdoshme që të bëjmë një vështrim të procesit, qoftë ligjor, qoftë politik të marrjes së këtij vendimi. Mendoj që e para, narrativi politik mbi dhënien e pronave të Manastirit të Deçanit dhe dhënien e pronave shoqërore është plotësisht i pabazuar”.
“Argumenti politik është se po të kishte qenë sistemi demokratik, çdo pronë shoqërore, duke përfshirë dhe “Apikon” dhe “Ilirin”, është pronë e atyre punëtorëve. Në “Apiko” dhe “Iliri” ka pasur dhe punëtorë serbë. Do të thotë iu është mohuar edhe e drejta punëtorëve serbë që të kompensohen për një pronë shoqërore, të cilën e ka pasë”.
Selimi, në Klan Kosova, ka thënë se më e mira do të ishte që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
“Ky vendim mund të jetë legal por nuk e ka legjitimitetin, prandaj shkallë e fundit kish qenë Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ku ne nuk jemi anëtarë”.
“Mendoj se të gjitha ambasadat, të gjitha palët e interesuara, duhet ta ndihmojnë Kosovën të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, që të jemi ne palë në atë gjykatë. Presioni ndërkombëtar është i bazuar mbi argumente jo të qëndrueshme politike dhe as juridike”.