Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë sot se ka marrë një mesazh nga ministri i Punëve të Jashtme të Guyanas – një shtet në Amerikën Jugore që e njeh pavarësinë e Kosovës – e që kryeson Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara aktualisht, se seanca e këtij organi të OKB-së kushtuar Kosovës do të mbahet nesër në orën 21:00 me orën lokale të Kosovës dhe në format të hapur.
Megjithatë, ai tha se kjo s’është zyrtare.
“Nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht, por sipas informacioneve që kemi nga selia e OKB-së, gjegjësisht nga vetë kryetari, seanca do të jetë e hapur me vendim të kryetarit, pa votim”, tha ai për RTS.
Sipas Daçiqit, anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë marrë tashmë ftesën për në seancën e hapur të së enjtes, e cila në New York i bie të mbahet në orën 15:00, sipas orës tonë në 21:00.
Daçiq theksoi se në seancë Serbinë do ta përfaqësojë presidenti Aleksandar Vuçiq.
Duke folur për “sjelljen e opozitës” serbe dje në seancën konstituive të Kuvendit të Serbisë, Daçiq akuzoi atë se po dëmton Serbinë dhe pretendoi se ata po e “mbrojnë Serbinë në skenën ndërkombëtare”