Hyrja e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tension. Garda e vendosur tek dera nuk lejon deputetët e përjashtuar të hyjnë në Kuvend. Lejohen vetëm ata që nuk kanë vendim për përjashtim.
Kuvendi i Shqipërisë pritet të japë sot autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Ndonëse PS dhe Enkelejd Alibeaj i dorëzuan të ndarë në Kuvend raportet që do të votohen sot, kërkesa e tyre është e njëjtë, që parlamenti t’i hapë rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij.
Me interes pritet votat e deputetëve të grupit Bardhi, që në fakt kishin firmosur edhe padinë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Bardhi dhe të tijtë nuk morën pjesë në protestën e parë të Berishës para Kuvendit, por kanë bashkuar aksionin brenda seancave plenare duke ndezur tymëse e krijuar kaos.
I njëjti skenar pritet të zbatohet edhe sot nga ata, ku do krijojnë kaos në seancën plenare ndërsa do votohet për arrestimin e ish-kryeministrit. Socialistët dhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla janë paraqitur rreth 2 orë para në Kuvend, me qëllim shmangien e skenarit të Berishës për të bllokuar futjen e tyre në sallën plenare.
Berisha ka paralajmëruar se nuk do të njohë vendimin e Parlamentit. Ai ka thirrur në protestë edhe ata pak militantë që ia kanë mbetur.
“Të enjten do jemi para parlamentit, nuk ka më të ndalur…”, tha Berisha.
SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesën për dhënien e autorizimit për rëndimin e masës ndaj Sali Berishës, më 12 dhjetor pasi ish-kryeministri, nën akuzë për privatizimin e ish kompleksit Partizani, nuk respektoi masën e parë, atë të detyrimit për paraqitje. /T