Sunday, November 24, 2024
HomeBotaSë paku 18 të vrarë në Gazën qendrore nga sulmet ajrore izraelite

Së paku 18 të vrarë në Gazën qendrore nga sulmet ajrore izraelite

Sulmet ajrore izraelite në Gazën qendrore i kanë vrarë së paku 18 njerëz, përfshirë fëmijë, gjatë mbrëmjes, thanë të premten zyrtarët shëndetësorë.

Një ditë më herët, 33 njerëz u vranë nga një sulm tjetër izraelit në një shkollë të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, ku po strehoheshin familjet e zhvendosura palestineze.

Sulmet e fundit goditën kampet e refugjatëve Nuseirat dhe Maghazi, si dhe qytezat Deir al-Balah dhe Zawaiyda, sipas tyre.

Katër fëmijë dhe një grua janë në mesin e të vrarëve, përfshirë edhe kryetarin e komunës së Nuseiratit, sipas zyrtarëve spitalorë, raporton Associated Press.

Ushtria izraelite tha të premten se është duke i vazhduar operacionet në pjesë të Gazës qendrore. Ajo tha se trupat e saj i kanë vrarë dhjetëra militantë, kanë gjetur tunele dhe kanë shkatërruar infrastrukturë në atë zonë.

Izraeli është duke u përballur me një rritje të trysnisë ndërkombëtare për ta kufizuar gjakderdhjen e civilëve në luftën e tij kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Spanja ka njoftuar se do t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare Penale leje për t’iu bashkuar rastit të ngritur nga Afrika e Jugut, ku Izraeli akuzohet për gjenocid në Gazë.

Izraeli i mohon fuqishëm akuzat për gjenocid.

Më shumë se 36.000 palestinezë janë vrarë gjatë tetë muajve bombardime dhe sulme tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Lufta e ka kufizuar dukshëm rrjedhën e ndihmave ushqimore, barnave dhe furnizimeve të tjera për palestinezët, të cilët po përballen me uri të madhe. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 1 milion njerëz në Gazë mund të përjetojnë shkallën më të lartë të urisë kah mesi i korrikut.

Izraeli e nisi luftën pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi – pjesëtarët e të cilit u futën në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Besohet se rreth 80 pengje të zëna më 7 tetor janë ende gjallë në Gazë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments