Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Holandë për një vizitë zyrtare. Ai ka ndarë në Facebook pamjet nga takimi me homologun e tij holandez Mark Rutte.
Kryeministri shqiptar bëri me dije se Shqipëria bashkë me Holandën po përgatisin një propozim se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale evropiane ideja e Macron për komunitetin e ri politik evropian.
Rama: Vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë.
Shqipëria bashkë me Hollandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian.
Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-hollandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Europian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkarisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian.
Ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët.
Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë.