Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale s’ka listë të pritjes për të kryer intervenime kirurgjike si ai të cilit iu nënshtrua Presidentja Vjosa Osmani, por kryerja e këtyre operacioneve bëhet me termine. Për kohën sa duhen të presin pacientët për t’iu nënshtruar këtij intervenimi kanë folur nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, i ka thënë Gazetës Express se s’ka listë të pritjes për këtë lloj operacioni, por se ka termine.
Sipas tij, maksimumi i pritjes është 20 ditë.
“Nuk o listë e pritjes, po ka termine. Lista e pritjes është mbi 30 ditë. Te na maksimumi është 18 deri në 20 ditë pret pacienti. S’ka listë të pritjes, janë veç termine”, ka deklaruar Sallahu.
I pyetur nëse një intervenim i tillë kryhet menjëherë sikur në rastin e Presidentes, Sallahu ka thënë se kjo varet nga diagnoza.
“Varet cila eshte diagnoza a eshte akute apo kronike”, ka deklaruar ai për Express.
Më herët, Sallahu bëri të ditur se heqja e tëmthit në QKUK kryhet qysh prej vitit 1999, derisa tregoi dy metodat me të cilat mund të operohet pacienti.
“Heqjen e tëmthit e kena bërë prej 12 dhjetor të vitit 1999. Janë dy metoda për këtë intervenim, e hapur dhe me laparaskopi. Me laparoskopi kemi filluar që nga vitit 1999, ndërsa me metodë të hapur prej që ka filluar teknologjia. Një intervenim i tillë kryhet për 45 minuta”, deklaroi Sallahu.
Ai foli edhe rreth asaj që Osmani e ka anashkaluar QKUK-në dhe ka shkuar në spitalin privat “Aloka”.
“Është një zhgënjim për shkak se anashkalimi i institucioneve nga i pari i shtetit është përbuzja më e madhe që i bëhet institucionit”, tha ai për Express.
Sallahu tha se kjo klinikë nuk ka asnjë vështirësi sa i përket këtij intervenimi kirurgjik.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është nënshtruar mbrëmë një intervenimi kirurgjik. Këtë operacion, Osmani ua besoi mjekëve të një spitali privat dhe jo atyre të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Presidenca e mbajti të fshehur këtë, derisa kur filluan të raportonin mediat.
Pasi gazetarët shkuan para spitalit, Zyra e Presidentes doli me një njoftim.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, u tha në njoftim.
Përgjegjësitë e Presidentes, ajo i kaloi te Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca”.
Ajo pritet që prej sot të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës
“Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”, thuhet në njoftim.
Anashkalimi që Presidentja i bëri Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe zgjedhja e spitalit privat për këtë ndërhyrje, i ka prekur shumë kirurgët e këtij institucioni. Për ta, është i papranueshëm ky veprim i të parës së shtetit.
Nga ky kolegjium kanë deklaruar se intervenimi që i është nënshtruar Osmani, bëhet në QKUK qe 23 vjet, me përqindje suksesi 99.9 për qind.
“Në bazë të informatave nga mediat, presidentja iu është nënshtruar një procedurës e cila në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale është rutinë ditor që nga 12 nëntori 1999 me përqindje të suksesit 99.9 %. Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë kolegjiumit të Kirurgëve e në veqanti institucionit mbi të cilat udhëheq është e papranueshme për të gjithë”, thuhet në reagim.
Në fund, kirurgët kanë bërë thirrje që raste të tilla të mos përsëriten.