Rusia të premten regjistroi shifër rekorde të të vdekurve nga Covid-19 për të katërtën ditë radhazi, një javë para fillimit të pushimit nga puna, të miratuar nga qeveria pas rëndimit të situatës.
Autoritetet raportuan 1.064 të vdekur në 24 orët e fundit, ndërsa rekord u shënua edhe me numrin e infeksioneve – 37.141, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vendimi i presidentit rus për ta shpallur periudhën 30 tetor – 7 nëntor si javë pushimi do të shërbejë për ta shkëputur zinxhirin e infeksioneve, por situatën e përshkroi si “jashtëzakonisht të vështirë”.
I pyetur nëse do të shqyrtohen masa më drastike, ai tha: “Tash për tash, jo. Asnjë person nuk mund ta parashikojë trajektoren e pandemisë me shkallë të lartë të besimit.”
Ai nuk e përjashtoi mundësinë për masa shtesë pas 7 nëntorit dhe përsëri për situatën e tanishme e fajësoi qëndrimin negativ të publikut ndaj vaksinimit.
Moska i ka urdhëruar personat e pavaksinuar mbi moshën 60-vjeçare që të qëndrojnë në shtëpi katër muaj duke nisur nga e hëna dhe nga e enjtja do t’i kthejë masat më të rrepta që nga qershori i vitit të kaluar. Vetëm dyqanet esenciale dhe barnatoret do të vazhdojnë të jenë të hapura.