Deklarata nga zëdhënësi i Presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov, u bën jehonë paralajmërimeve të Kremlinit se nuk do të lejojë Ukrainën të përdorë forcën për të rimarrë territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë në pjesën lindore të vendit. Shefi ushtarak i Ukrainës hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se forcat ushtarake ukrainase po përgatiten për një sulm në pjesën lindore të vendit.
Forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia janë përfshirë në konflikt në Ukrainën lindore që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014. Më shumë se 14,000 vetë janë vrarë nga konflikti dhe përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje politike nuk kanë dhënë rezultat. Ukraina dhe Perëndimi kanë akuzuar Rusinë se po dërgon trupa dhe armatime për t’u ofruar ndihmë separatistëve, akuza që Moska i ka hedhur poshtë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken zhvilloi të premten bisedime të veçanta me homologun francez Jean-Yves le Drian dhe me homologun gjerman, Heiko Maas. Në telefonatën me zyrtarin e lartë gjerman, dy shefat e diplomacisë diskutuan rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës përballë provokimeve të njëashme të Kremlinit në zonën kufitare me Rusinë si dhe në Krimenë e aneksuar nga rusët. Përfaqësuesit diplomatikë të tre vendeve theksuan nevojën që Rusia të ndalë menjëherë aktivitetin e përqëndrimit të trupave dhe pajisjeve ushtarake si dhe retorikën acaruese.
Gjatë një telefonate të enjten me Presidentin rus, Vladimir Putin, Kancelarja gjermane Angela Merkel “bëri thirrje për largimin e përforcimeve ushtarake në mënyrë që të arrihet ulje e tensioneve”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të enjten se Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuara lidhur me shtimin e pranisë ushtarake, duke nënvizuar se tani Rusia ka më shumë trupa në kufirin me Ukrainën se ç’ka pasur në ndonjë moment që nga viti 2014.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy tha të premten pasi vizitoi trupat në lindje të vendit se 26 ushtarë ukrainas janë vrarë këtë vit. Shkelje të përsëritura të armëpushimit të korrikut dëshmojnë se “përsëri duhet të përpiqemi të vendosim një armëpushim,” tha ai. Autoritetet e separatistëve në Donetsk thanë se 20 ushtarë të tyre si dhe dy civilë janë vrarë që nga fillimi i vitit 2021.
Zëdhënësi i Presidentit Putin, Peskov tha se Rusia ka të drejtën të dërgojë trupa kudo që dëshiron në territorin e saj. Ai akuzoi ushtrinë ukrainase se po kërcënon sigurinë e Rusisë me “përshkallëzimin e veprimeve provokuese” përgjatë zonës kufitare lindore. “Kremlini shqetësohet se mund të rifillojë lufta civile në Ukrainë. Nëse rifillon një luftë civile apo veprime ushtarake në shkallë të gjerë pranë kufirit tonë, kjo do të përbënte kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse. Ky shkallëzim tensionesh është i pashembullt,” tha zoti Peskov.
Në Kiev, Kolonel Gjenerali Ruslan Khomchak, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, hodhi poshtë pretendimet ruse për përgatitje nga Ukraina për ofensivë në lindje të vendit, duke e cilësuar “fushatë dezinformimi” dhe “luftë hibride”. Ushtria ruse tha se njësi të pararojës së saj janë stërvitur për të operuar pas vijës së parë të armikut gjatë manovrave në rajonin Belgorod në kufi me Ukrainën. Në Detin e Zi, anijet e marinës ruse të pajisura me raketa bënë manovra sulmesh mbi armikun.
Dmitry Kozak, ndihmës i Presidentit Putin i cili shërben si negociator kryesor i Rusisë në bisedimet me Kievin, paralajmëroi Ukrainën të enjten kundër përdorimit të forcës për të rimarrë nën kontroll pjesën lindore të vendit, ku një pjesë e madhe e banorëve kanë shtetësi ruse. Një veprim i tillë do të shënonte “fillimin e fundit për Ukrainën” tha ai, duke shtuar se ka të ngjarë që Rusia të hidhet në veprim, në mbrojtje të shtetasve të saj.
I pyetur në lidhje me komentin e zotit Kozak, zëdhënësi Peskov ngriti pretendimn se retorika e ashpër nacionaliste në Ukrainë po ndizte urrejtjen kundër popullsisë kryesisht rusisht-folëse në lindje të Ukrainës. Ai shtoi se nëse civilët në Ukrainën lindore përballen me kërcënime për masakër, “të gjitha vendet, përfshirë Rusinë, do të marrin masa për të parandaluar tragjedi të tilla”.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme turke tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar Turqinë se dy anije luftarake amerikane do të lundrojnë drejt Detit të Zi më 14 prill dhe 15 prill dhe do të qëndrojnë atje deri më 4 maj dhe 5 maj. Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti në përputhje me rregullat e qeverisë, tha se SHBA e njoftoi Turqinë 15 ditë para kalimit të anijeve në përputhje me një konventë që rregullon transportin përmes ngushticave turke.
Vizita të tilla nga anije amerikane dhe të vendeve të tjera të NATO-s e kanë shqetësuar Moskën, e cila prej kohësh shpreh irritim të hapur nga përpjekjet e Ukrainës për të krijuar lidhje në fushën e mbrojtjes me Perëndimin dhe aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në NATO.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova paralajmëroi të premten se përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në NATO “jo vetëm që do të çonin në një përshkallëzim masiv të situatës në juglindje, por gjithashtu mund të sillnin pasoja të pakthyeshme për statusin e Ukrainës si shtet”./