Monday, November 25, 2024
HomeBotaRusia e sulmon Odesën me raketa dhe dronë, rriten luftimet në jug...

Rusia e sulmon Odesën me raketa dhe dronë, rriten luftimet në jug dhe lindje të Ukrainës

Rusia e ka sulmuar portin kryesor të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa, me një valë të re sulmesh me dronë dhe raketa, njoftoi të hënën Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, derisa luftimet e ashpra në frontet lindore dhe jugore vazhduan.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se Rusia sulmoi me 15 dronë Shahed, të prodhuar në Iran, dhe me tetë raketa. Mbrojtja ajrore ukrainase tha se i ka rrëzuar të gjitha.

Megjithëse sulmi në Odesa u zmbraps, tre persona u plagosën nga rënia e copëzave të raketave, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper më 14 gusht.

“Disa zjarre shpërthyen nga rënia e copave të raketave, si pasojë e sulmit të armikut në Odesa. Njerëzve jemi duke ua ofruar të gjitha ndihmat e nevojshme mjekësore. Xhamat e dritareve të ndërtesave u thyen nga vala e shpërthimit”, tha Kiper.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi më 14 gusht se 33 luftime të ashpra u bënë të dielën në sektorin Kupiansk në rajonin lindor të Harkivit.

Në Donjeck, forcat ruse tentuan ta rimerrnin terrenin e humbur në zonën e Bahmutit, por u zmbrapsën, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin ditor, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase e rrëzoi një helikopter ushtarak rus mbi Bahmut.

Në jug, forcat ruse bënë “përpjekje të pasuksesshme” për kundërsulm në sektorin Robotine në Zaporizha, tha ushtria ruse, një ditë pas raportimeve se trupat ukrainase kishin arritur “sukses të pjesshëm” përreth Robotines.

Sipas disa postimeve në rrjetet sociale, trupat ukrainase kanë hyrë në Robotine, një vendbanim i vogël i cili është në rrugë të ofensivës së Kievit për ta rimarrë Melitopolin.

Raportimet rreth fushëbetejës nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Më 13 gusht, disa civilë, përfshirë një çift dhe dy fëmijët e tyre – një foshnje dhe një djalë 12 vjeç – u vranë nga granatimet ruse në jug të Ukrainës.

Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko tha në rrjetin social Telegram se familja u vra në komunën Shiroka Balka në rajonin e Hersonit.

Ai shtoi se, në përgjithësi, shtatë civilë u vranë dhe 20 u plagosën në rajonin e Hersonit gjatë granatimeve ruse, të cilat i dëmtuan ndërtesat e banimit në disa vendbanime.

“Terroristët nuk do të ndalën kurrë së vrari civilë. Ata duhet t’i ndalim. Me forcë. Ata nuk kuptojnë asgjë tjetër”, tha ai.

Guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha se prifti i një kishe dhe një banor i fshatit Stanislav ishin në mesin e të vdekurve si pasojë e sulmeve ruse.

Vadim Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia në pjesën e uzurpuar të rajonit ukrainas Zaporizha, tha se forcat ukrainase kanë depërtuar nëpër vijat ruse dhe “kanë fituar terren” në vendbanimin Uruzhaine, në pjesën jugperëndimore të rajonit të Donjeckut.

Rogov tha se forcat ukrainase po përpiqen ta marrin kontrollin në qytetin e afër, Staromlinivka.

Më 13 gusht, mediat ruse raportuan se trafiku ishte mbyllur përkohësisht në urën që e lidh Rusinë me Krimenë e uzurpuar mbi Ngushticën e Kërçit.

Nuk u dha ndonjë arsyeje për pezullimin e trafikut, i cili u lëshua për qarkullim më vonë, sipas zyrtarëve rusë.

Kjo urë është dëmtuar disa herë në muajt e fundit nga sulmet e dyshuara ukrainase me dronë dhe raketa.

Në korrik, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ura po “përdoret për të furnizuar municion për luftë, dhe kjo po bëhet çdo ditë”, duke shtuar se duhet të neutralizohet.

Me raportim nga Reuters dhe AFP.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments