Rritja e pagës minimale në vlerë prej 264 eurove po konsiderohet të jetë e dëmshme për bizneset e vogla. Kështu po vlerësojnë ekspertë të ekonomisë, të cilët apelojnë që Qeveria t’i ndihmojë mikrobizneset, qoftë me subvencione të qirasë apo në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos falimentojnë.
Kuvendi i Kosovës pa opozitën, para 10 ditësh ka miratuar Ligjin për Pagën Minimale. Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se në Kosovë janë 80,985 persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj. Sipas tij, janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë, ndërtimtarë.
Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë për KosovaPress se disa nga bizneset e vogla e kanë problem t’i përmbahen këtij kriteri, në këtë mënyrë, ai thotë se shumica e bizneseve të vogla do të falimentojnë.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK),Lulzim Rafuna thotë se rritja e pagës minimale do t’i dëmtojë ndërmarrjet e vogla.
Sipas Rafunës, para se të sillet ligji është dashur të bëhej një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale te këto biznese.
Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.
Në këtë drejtim, ai thotë se shteti duhet t’i ndihmojë këto biznese me politika fiskale.
Ndërsa, hulumtuesi nga Riinvest, Visar Vokrri potencon se rritja e pagës minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit te punëtorët.
Përndryshe, me 60 vota për dhe një abstenim, para 10 ditësh është miratuar ligji për pagën minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet në vlerë 264 euro. Ndërsa, në votim nuk është mbështetur asnjë amendament.
Ndërkaq, është bërë pothuajse një vit prej kur ky projektligj ishte miratuar në parim.
Shqyrtimi i këtij dokumenti është pezulluar nën arsyetimin se po synohet konsensusi me veteranët e UÇK-së që projektligji nuk ua garanton pensioni në masën e pagës minimale. Amendamente për këtë kanë dorëzuar në Kuvend dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, ku kishin kërkuar të fshihen nga projektligji nenet, me të cilat parashtrojnë nga përfitimi i pagës minimale, kategoria e veteraneve të luftës, paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe personave të verbër. Mirëpo, asnjëra nuk është mbështetur nga pozita në momentin e votimit.
Kundër këtij ligji me protesta janë shprehur edhe organizatat e dala nga lufta. Ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe janë në pritje të vlerësimit nga ekspertet e zyrës së presidencës.
Veteranët kanë paralajmëruar protesta para Kuvendit edhe të mërkurën e javës që vjen