Kosova është duke u përballur me një rritje të çmimeve për produkte të ndryshme ushqimore. Rritje e madhe është vërejtur tek produktet ushqimore elementare, ndërsa sot është raportuar se qytetarët do të paguajnë 50 cent për një bukë.
Pse ka ndodhur kjo rritje e çmimeve? A është e përballueshme kjo rritje? Kur pritet të bien këto çmime dhe cfarë mund të ndodhë? Lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliun, rreth këtyre përgjigjjeve.
Sipas Gërxhaliut, sfida ekonomike në të cilën është duke u ballafaquar Kosova por edhe bota, sipas tij vjen si pasojë e pandemisë së COVID-19, madje sipas tij kjo sfidë është paralajmëruar.
“Eshtë e vertetë që bota është duke u ballafaquar me një sfidë ekonomike si pasojë e COVID-19 dhe kemi paralajmëruar se që diqka e tillë mund të ndodhë”, u shpreh Gërxhaliu për lajmi.net.
Gërxhaliu, rritjen e këtyre çmimeve e sheh në tri pika të ndryshme
“Pse është kjo lëkundje e pakontrolluar e para është aspekti ekonomik sepse shumë shtete dëshirojnë të përshpejtojnë në aspektin e rimëkëmbjes dhe kanë nevojë për lëndë të pare, e dyta ka të bëjë me aspektin e lojërave dhe strategjisë që shumë shtete dëshirojnë të përdorin për objektiva të ndryshme strategjike dhe e treta duhet të kuptohet që është bë një fuqi shumë e madhe lobuese e prodhuesve të veturave, në energji elektrike dhe solare të cilët kanë mendu që shitje e këtyre pajisjeve të jetë më e madhe se sa që është duke shkuar”, ka sqaruar Gërxhaliu.
Për Gërxhaliun, goditja që Kosova ka marrur në këtë drejtim, sipas tij ka të bëjë me varësinë si shtet importues.
“Tani bëhet një presion që në mënyrë graduale të shkohet nga çmimi i naftës dhe derivateve të ndryshme në atë të energjisë, domethënë, vendimi i fundit në Arabinë Saudite ku është thënë që veturat të prodhohen deri në vitin 2060, për vet faktin që është njëri ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe në këtë drejtim Kosova do të jetë e goditur sepse varet nga importi”, tha Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, një tjetër arsye e kësaj goditje sipas tij është edhe mungesa e ndihmave nga shteti, ku ai u shpreh se kjo rritje e çmimeve do të jetë e papërballueshme për qytetarët.
“Për fat të keq falë edhe një agjende politike është shndërruar në një shtet të varfër ku pjesa më e madhe është e atyre të cilët marrin ndihma nga shteti dhe kjo rritje e çmimeve vërtetë do të jetë e papërballueshme dhe do ta vërshtirësojë jetën e qytetarëve “, tha ai.
Gërxhaliu rreth rënies së çmimeve u shpreh se një gjë e tillë kërkon më shumë kohë se sa rritja e tyre, madje sipas tij është koha e duhur që insitucionet duhet të bëjnë më shumë që qytetarët të përballojnë krizën e krijuar duke marrë model vende të ndryshme të botës.
“Në biznesin ndërkombëtar mësohet psikologjia e çmimeve, që për fat të keq thotë çmimet shumë më shpejtë rriten sesa që bien në nivelin paraprak por besoj që është koha kur insitucionet do të duhet të bëjnë më tepër qe popullata ta përballojë një krizë të tillë, plus asaj të mësojnë nga vendet te ndryshme për shembull Italia që 40 për qind të rrymës e paguan në fund të muajit për qytetarët, Franca i ka identifikuar 6 milion familje të cilat do të marrin nga 100 euro një ndihmë për të perballuar këto pasoja”, tha ndër të tjera eksperti i ekonomisë.
Gërxhaliu, rritjen e çmimit të bukës në 50 cent e sheh si një kosto të papërballueshme, si dhe që të evitohet kjo pret që Kosova duhet të ketë kujdesin social ndaj qytetarëve.
“Në Kosovë vërtetë agjenda politike është dominante por për hallin e qytetarëve dhe bizneseve askush nuk gjen kohë. Nuk e meriton Kosova që të thuhet të kalojë koha e balotazheve dhe është e vërtetë që një shtresë e madhe që pëson nga kjo. Në Kosovë çmimi 50 cent per bukë, në radhë të parë nuk duket edhe aq tragjike por në afat të gjatë vertetë është një kosto. Prandaj Kosova duhet ta ketë vërtetë kujdesin social dhe që të arrihet ky objektiv duhet gjërat të evitohen sepse vërtetë eksplodimi i një bombe sociale do të kthehet tutje, dhe do të mund ti ndodhë Kosovës në këto momente”, ka përfunduar Gërxhaliu.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës i cili tha se Kosova si vend që importon shumë, varet nga ndryshimet në tregjet e jashtme.
“Besoj që në njërën anë ka të bëjë me energjinë, në anën tjetër ka të bëjë me faktin që Kosova si një vend i cili importon shumë, është tepër i brishtë karshi fluktuimeve në tregjet e jashtme. Pra nëse ne do ta kishim deficitin ma të ulët tregtar se do të kishim edhe suficitm për shembull, më shumë eksport se import, që jemi shumë larg asaj. Atëherë do të kishim qëndrueshmëri më të madhe të brendshme karshi fluktuimeve në tregjet e ndryshme. Por ne jemi shumë të varur prej jashtë, çfarë të ndodhë jashtë, tek ne reflektohet menjëherë”, ështe shprehur Kurti gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit.