Në muajin qershor të këtij viti është rritur numri i përfituesve nga skema për Pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin qershor 2024 nga Pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfituar 847 persona, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (që ishin 735 përfitues), vërehet një rritje prej 15,2 për qind.
Në muajin qershor 2024, krahasuar me muajin qershor 2023 kishte edhe rritje të numrit të përfituesve nga: Skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike 13,8 për qind, skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara(11,0); Skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (8,4%).
Po ashtu Skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/’91 deri në vitin shkollor 1998/’99 kishte rritje 5,7 për qind, skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,3%), skema e pensioneve bazike të moshës (0,9%), skema për veteranët e luftës (0,7%) si dhe Skema e kompensimeve për personat e verbër (0,7%).