Inflacioni ka shkuar në 14.1 për qind. Produktet që janë shtrenjtuar më së shumti janë buka, drithërat, mishi, pemët dhe karburantet. Çmimet e bukës, drithërave, mishit, pemëve dhe karburanteve veç për muajin qershor janë rritur dukshëm krahasuar me muajin paraprak të këtij viti. Kështu ka treguar Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit. Në raportin e publikuar më 12 korrik, thuhet se rritja e çmimit të karburanteve arriti në 15.4 për qind, krahasuar me muajin maj apo 67,3% për dallim nga qershori i 2021-s.
Njëkohësisht, kjo shënon rritjen më të madhe të çmimit të karburanteve.
“Buka dhe drithërat (1,1%), mishi (1,4%), pemët (3,0%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (2,2%), kafja, çaji dhe kakao (2,3), pijet alkoolike (1,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6,0%),mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1,8%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (15,4%), shërbimet për transport (5,9%), pushime të organizuara (4,1%), shërbimet hoteliere (2,3%)”.
Agjencia e Statistikave ka treguar se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1 për qind.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”.
Gjithashtu sipas ASK-së, janë ngritur edhe çmimet e sheqerit, mjaltit, kafes, pijeve alkoolike si dhe lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri etj.
“Buka dhe drithërat (27,7%), mishi (19,6%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), perimet (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%), kafja, çaji dhe kakao (17,9%) uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (6,2%), pijet alkoolike (7,0%), duhani (4,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (11,0%), gazi (39,3%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%)”, janë disa prej produkteve që kanë shënuar rritje të çmimit të konsumit, nëse krahasojmë me periudhën e qershorit të kaluar me atë aktual.
Ndërsa rënie e çmimeve, sipas ASK-së vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumështi, djathi dhe vezët (-1,6%), perimet (-10,9%), energjia elektrike (-0,7%) ((për shkak të rënies së konsumit (shpenzimeve) të energjisë elektrike në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022)) me një ndikim prej -0,5 për qind në IHÇK-it./Monitor