Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka investuar rreth 200 mijë euro për rinovimin e sallave të operacionit e dhomave përcjellëse për Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Prishtinë, mirëpo gati një vit pas mbarimit të punimeve, ajo nuk është lëshuar ende në funksion.
Rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve të reja për këtë sallë operacioni, por, edhe një vit mbas mbarimit të meremetimeve, ajo mbetet jashtë funksionit.
Në mungesë të funksionalizimit të saj, operacionet plastike kryhen në klinika të tjera të QKUK’së.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi, thotë për REL se salla nuk i plotëson kushtet për operim.
“Në tërësi është e pamundur të rregullohet sepse është jashtë bllokut operativ. Tavani është nën nivelin e duhur. Nuk mund të ngrihet lart drita, duhet të jetë në nivelin e duhur, e jo mbi kokën e operatorit”, thotë ajo.
Këto punime janë kryer në kohën kur drejtor i Kirurgjisë Plastike ishte Zejnë Buja. Ai nuk deshi të japë shpjegime për defektet e supozuara në sallë.
“Nuk kam kohë dhe nuk jam i interesuar për intervista”, tha ai,
Muret e sallës kanë nisur të mbledhin myk. Lavamani që duhet të përdoret nga mjekët, ka filluar të demolohet dhe të ndryshket, derisa nga katet e mësipërme rrjedh uji.
Vendi ku duhet të kryehen operimet, ka qasje në korridorin ku lëvizin pacientët ose familjarët e tyre. Kjo, sipas mjekëve, rrit rrezikun për infeksione.