Saturday, November 23, 2024
HomeSportRrëfim i veçantë i Kukës: Flet për medaljet, Majlindën, vështirësitë dhe pensionimin...

Rrëfim i veçantë i Kukës: Flet për medaljet, Majlindën, vështirësitë dhe pensionimin nga xhudo

Viti 2021, sa i përket sportit të xhudos për Kosovën ka qenë në pikë maksimale ndonjëherë.

 

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova arritën që të realizojnë ëndrrën, duke fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, shkruan lajmi.net.

Këto medalje ishin arritja më e madhe për sportin e Kosovës që erdhën katër vite më vonë se medalja e parë, të cilën e kishte fituar Maljinda Kelmendi, që njoftoi pensionimin këtë muaj.

Për këtë vit të suksesshëm, në një intervistë të veçantë për lajmi.net, ka folur trajneri më i mirë në botë për xhudo, Driton Kuka, i cili tha se nuk kanë pritur që të fitojnë dy medalje të arta.

“Po faktikisht rezultatet në sport kanë qenë sublime, apo pika e çdo karrierë të një sportisti është medalje olimpike. Pas medaljes së artë të Majlindës në vitin 2016 kemi punuar aq shumë, por të them të drejtën që do vinë edhe dy medalje të arta, nuk e kam pritë, ndoshta kemi prit medalje olimpike, por të arta ka qenë vështirë. Është kënaqësi, e kemi sistemin e mirë të punës, i cili për momentin po funksionon dhe po sjellë rezultate kulminante”.

Kuka ka treguar edhe për kohën e vështirë që kaluan xhudistët gjatë periudhës së COVID-19, që njëkohësisht doli vendimtare për fitimin e medaljeve të arta olimpike.

“Për mua si trajner ka qenë sfidë e llojit të vetë, jo vetëm për mua, por për secilin trajnerë të botës sepse ne e bëjmë një matematike për me kulmu pas katër vitesh, por kjo një vit ekstra na ka nxjerrë probleme, na ka sfidu, por në fund rezultoi me diçka të jashtëzakonshme. Me rëndësi është që gjatë pandemisë ne kemi bashkëjetu e tërë ekipi me një vend në Pejë, kemi jetu, jemi ushqye aty. Ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, por për ne e mirë sepse rezultati tregon se nuk kemi pas ndërprerje, nuk kemi pasur pauzë dhe ajo ka ndiku jashtëzakonisht që edhe prej Lojërave Olimpike të kthehemi me dy medalje të arta”.

Kuka gjithashtu arriti të fitojë një çmim të jashtëzakonshëm, atë të trajnerit më të mirë në botë për xhudon për vitin 2021. Trajneri këtë çmim ia ka dedikuar popullit shqiptarë që e votuan nga anë e mbanë botës.

“Për mua është më rëndësi që më në fund si trajner shpërblehem për punën e nivelit botëror sepse të nominohesh ndër pesë më të mirët është mirë, por të fitosh dhe të bëhesh trajneri më i mirë në botë, është diçka e re edhe për popullin shqiptar ngase deri tash sa kom informata nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Këtë çmim ia dedikoi popullit tim, për mua personalisht e di që me rezultate jam në elitën e trajnerëve botëror, por të shpallësh më i miri edhe kjo tregon që ne si popull e kemi merituar kaq shumë lirinë dhe kjo liri po shpërblehet me punë seriozë dhe vazhdimësia është ky çmim me ka bërë të jem krenar”.

Tutje, Kuka zbuloi se nuk ka menduar që do ta fitojë këtë çmim, pasi besonte që japonezi do arrinte të fitonte shkaku që ishte votim i hapur.

“Jo, nuk e kam prit shkaku i konkurrencës me japonezin dhe francezin sepse ishte votim i hapur dhe kur të kesh parasysh se Japonia i ka 100 milionë dhe një komitet të xhudos me 2 milionë, por si duket shqiptarët ku do që janë kanë votuar, na kanë votuar edhe mua dhe Distrinë dhe në fund ka rezultuar. Të them të drejtën e kam pritur që do shpallet japonezi, por ja që diçka e tillë ndodhi. Normalisht cili do prej atyre pesë trajnerëve që shpallej më i miri, nuk do ishte çudi sepse janë të nivelit botëror”

Majlinda Kelmendi që bëri historinë në sportin e xhudos gjithashtu këtë muaj, njoftoi pensionimin dhe nisi aventurën si trajnere. Kuka theksoi se ndihet i mërzitur që ajo e mbylli karrierën, por nga ana tjetër i lumtur që do ta ndihmojë në aspektin si trajnere.

“Kjo është emocion i përzierë sepse të largohet nga karriera një sportiste si Majlinda, ka sjellë një emocion që është diçka e re sepse një sportiste që është rritur afër neve dhe na ka sjellë shumë gëzime dhe momentin kur duhet me përfundu karrierën është diçka tjetër, mua më është ngushtuar ajo pjesa shpirtërorë e të qenit trajner me largimin e Majlindës, ndërsa në anën tjetër kur po e shoh që numri i garuesve po rritet, po gëzohem sepse ndoshta do t’i ndajmë përgjegjësitë me Majlindën dhe Fatosin, që janë edhe njerëzit që i kam afër në stafin e trajnerëve. Me largim kam pasur mërzi, por gëzim që do mbetet në xhudo dhe do vazhdojë të na ndihmojë”.

I pyetur se kur do ta konsideronte pensionimin pas tërë këtyre arritjeve, ai deklaroi se sapo ndonjë trajner tjetër të nis të fitojë medalje, atëherë do t’ia lëshojë rrugën dhe të pensionohet.

“Ta them drejtën, momentin kur unë do t’ia arrijë qëllimin që Majlinda ose Fatosi të ndikojnë sportistë që bëjnë rezultate kulminante, atëherë mendoj që është koha që t’ia lirojë rrugën dhe të eci përpara. Normalisht, unë do jem afër tyre, afër xhudos sepse është jeta ime, por megjithatë do ishte momenti i duhur që t’iu jap përgjegjësi, në fakt qysh tash e kom planifikuar përgjegjësitë e tyre dhe momentin kur mendoj që ata e bëjnë punën e trajnerit pa ndihmën time, unë si trajner përveç titujve që s’ka që s’kemi fituar, nëse dikush fillon të ndërtojë rezultate të tilla, atëherë misioni im jetësor në sport është i përmbushur 100 për qind”.

Kuka gjithashtu foli edhe për skuadrën me të cilën kalkulon planet për Lojërat Olimpike të vitit 2024, ku nuk dha ndonjë emër konkret, mirëpo beson që rreth gjashtë garues do e fitojnë normën për pjesëmarrje.

“Tash jemi duke ndërtuar skuadrën, kjo pyetje duhet të pres edhe 1 vit. Përpos Majlindës, të tjerët do vazhdojnë me garu prapë, i kemi katër garues që veçse kanë qenë në Lojërat Olimpike, besoj që do kemi pesë apo gjashtë garues që do e fitojnë normën, pastaj të shohim. Është periudhë e mjaftueshme që të jemi komod, i kemi gjeneratat e reja që janë duke shkuar rrugës së kampionëve tona dhe besoj që ekipi do marrë formë tash pas një viti”, deklaroi Kuka në intervistën e veçantë për lajmi.net.

Ndërkohë, përpos Kukës, edhe xhudistja jonë, Distria Krasniqi fitoi çmimin e xhudistes më të mirë në botë për vitin 2021.

Përpos kësaj, Krasniqi dhe Nora Gjakova dominojnë në renditjen botërore për kategoritë -48 kg dhe -57 kg.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments