I njohur për zemrën e tij të madhe, Cristiano Ronaldo dërgoi ndihma humanitare në Turqi dhe Siri, dy vendet e goditura së fundmi nga tërmeti, që la të vdekur më shumë se 50,000 njerëz.
Ylli portugez dërgoi një aeroplan plot me gjëra elementare në Turqi dhe Siri për të ndihmuar viktimat e tërmetit që goditi disa javë më parë.
Sipas “Daily Mail”, Ronaldo ka dërguar tenda, jastëkë, batanije, shtretër dhe ushqime, përfshirë për foshnjat dhe fëmijët, si dhe furnizime mjekësore për të ndihmuar ekipet në terren.
Vlen të theksohet se kjo nuk është hera e parë që 38-vjeçari i del në ndihmë njerëzve në nevojë.
Së fundmi, saktësisht të premten, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” takoi një të ri sirian që ëndërronte ta takonte sulmuesin e njohur.
Ai i mbijetoi tërmetit dhe u ftua në Arabinë Saudite për të parë nga afër një ndeshje të Al-Nassr, skuadrës ku aktivizohet ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Real Madridit e Juventusit. /Gazeta Express/