Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaRizvanolli e Shala përplasen në komision, shkak “selektimi” i ndërmarrjeve për subvencionim

Rizvanolli e Shala përplasen në komision, shkak “selektimi” i ndërmarrjeve për subvencionim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, janë përplasur mes vete për siç tha ky i fundit, “selektimin” që po u bëhet ndërmarrjeve publike për t’u subvencionuar.

Gjatë raportimit para anëtarëve të këtij komisioni lidhur me punën e ministrisë për vitin 2021 dhe planin e punës këtë vit, Rizvanolli tha se arsyeja e subvencionimit të ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO po bëhet për shkak se Qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës i ka privatizuar ato.

Derisa ka folur për subvencionimin e ndërmarrjeve, Rezvanolli pohoi se kjo po bëhet për të mos e rënduar jetën e qytetarëve.

“Arsyeja se pse po i subvencionojmë kompanitë KESCO dhe KEDS është se Qeveria juaj i ka privatizuar. Çmimi gjatë natës dhe gjatë ditës mund të jetë deri në dy, tre fish”, tha ajo.

“Kënd e keni subvencionuar tash me 20 milionëshin tash. Po i selektoni ndërmarrjet“, ishte pyetja e Shalës, deputet i PDK-së.

“Secili cent që hyn në sistem është cent që konsumatori nuk do ta paguaj. Kemi të bëjmë me subvencionim të konsumatorëve e jo të ndërmarrjeve”, u përgjigj Rizvanolli.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pyeti nëse do të ketë ndonjë pako për t’i subvencionuar qytetarët.

“Subvencionimi i energjisë është subvencionim i tarifave të konsumatorëve. Raportet e Zrre bëhen në baza vjetore për tër vitin duke marr parasysh një planifikim të saktë për atë se sa do jenë nevojat për import. Për të hapur shqyrtim të ri ekzistojnë rregulla. Nëse të hyrat kalojnë 5 për qind atëherë rishqyrtohet vlera e konsumatorit”, u përgjigj Rizvanolli.

Por, diskutimi për gjendjen në ndërmarrjen “Ferronikeli”, nuk u pëlqye fort nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, raporton EO.

Ai iu drejtua Ferat Shalës se në çdo mbledhje po diskuton për këtë ndërmarrje.

Por, këtë e mohoi vetë Shala, i cili tha se për herë të parë zyrtarisht është diskutuar pasi kanë pranuar shkresë zyrtare.

Pas këtij diskutimi, mbledhja u kërkua të vazhdojë pa praninë e medieve, ku temë diskutimi ka qenë gjendja energjetike në veri të vendit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments