Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se rënia e Kosovës për 19 vende më poshtë në indeksin e lirisë së mediave nga “Reporterët pa Kufij”, është alarm për secilin njeri që jeton në Kosovë, .
Sipas Bajramit, tashmë s’ka asnjë dyshim se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është kundër mediave.
“Lufta e pushtetit ndaj medias është programore, e orkestruar për t’i dëmtuar raportimet dhe zbulimin e skandaleve korruptive të Qeverisë. Evidentimi i gjendje së mediave në Kosovë nga “Reporterëve pa Kufij” është konfirmim i asaj që kemi thënë prej ditës së parë të ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, ka thënë Bajrami.