Lëvizja Vetëvendosje, subjekti politik që fitoi në zgjedhjet e 14 shkurtit mbi 50 përqind të votave në Kosovë ka pësuar një rënie drastike të votës popullore në zgjedhjet lokale, ose përmbi 278,882 vota më pak sesa para disa muajve.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 17 tetorit nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë të Kosovës pa balotazh, ndonëse ka shkuar në balotazh në shumë prej tyre, ndërsa ka pasur rënie në secilën prej komunave krahasuar me rezultatet e 14 shkurtit të këtij viti.
Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet nacionale ka marrë 71,873 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale vetëm 22,789 vota, e dallimi është afër 50 mijë vota, ose saktësisht 49,084 – tani kur në këtë komunë janë numëruar 85 përqind të kutive të votimit.
Prizreni është një komunë tjetër ku Lëvizja Vetëvendosje pati një rezultat zhgënjyes. Atje ky subjekt politik mori vetëm 15,000 vota në zgjedhjet lokale nga 33,268 që i kishte marrë në zgjedhjet nacioanle ose 18,268 vota më pak sesa para disa muajsh, tani kur janë numëruar 98 përqind të kutive të votimit.
Qyteti i Ferizajt ka qenë një tjetër shok për Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka marrë vetëm 9,931 vota dhe 35,158 sosh që i kishte marrë në zgjedhjet nacionale, saktësisht 25,527 vota më pak tani që në Ferizaj janë numëruar 99 përqind të kutive.
14,272 vota më pak i ka Lëvizja Vetëvendosje edhe në qytetin e Mitrovicës në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet nacionale. Në këtë komunë të Kosovës, të cilën e fitoi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pa balotazh, LVV në zgjedhjet e 14 shkurtit ka pasur 22,580 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale vetëm 8,30 me 99 përqind të votave të numëruara.
Qyteti i Pejës shkoi pa balotazh te Lidhja Demokratike e Kosovës, e gjithashtu në këtë komunë, Lëvizja Vetëvendosje humbi mijëra vota për pak muaj. Në këtë komunë, LVV ka 17,177 vota më pak në zgjedhjet lokale krahasuar me ato qëndrore, ose vetëm 6,645 nga 23,822 sa i kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Edhe Gjakova i dha një “goditje vote” Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje. Ky subjekt politik para pak muajsh kishte saktësisht 24,087 vota ndërsa tani ka marrë vetëm 10,393 kur janë numëruar 96 përqind të kutive, ose thënë në shifra të sakta, 13,694 vota më pak.
Ndonëse në Gjilan bëri garë pak më të mirë, VV humbi edhe atje mijëra vota. Nga 32,742 që i kishte marrë në zgjedhjet parlamentare, LVV deri më tani kur janë numëruar 94 përqind e kutive ka marrë vetëm 10,660 vota, ose 22,982 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet parlamentare.
Podujeva në zgjedhjet lokale i dha Lëvizjes Vetëvendosje 14,538 vota më pak sesa në zgjedhjet nacionale. Tani kur janë numëruar 88 përqind të kutive, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vetëm 11,361 vota nga 25,899 sa i kishte në total në zgjedhjet nacionale.
Në Junik, Lëvizja Vetëvendosje ka humbur saktësisht 275 vota në zgjedhjet lokale. Atje janë numëruar 100 përqind të kutive, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 409 vota, ndërsa në zgjedhjet nacionale i kishte 684.
Hani i Elezit i dha Lëvizjes Vetëvendosje 1,142 vota më pak. Në zgjedhjet nacionale ky subjekt politik kishte marrë 2,118 vota, ndërsa tani ka marrë 976 sosh kur janë numëruar 100 përqind të kutive të votimit.
Malisheva është një qytet tjetër në të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar duke mos ruajtur as gjysmën e votës popullore. Në këtë komunë, në zgjedhjet nacionale ky subjekt politik kishte mbledhur 7,618 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale të djeshme, tani kur janë numëruar 96 përqind e kutive ka marrë vetëm 3,043 vota, ose 4,575 vota më pak.
Në Vushtrri VV-ja ka pësuar rënie drastike. Nga 21,637 vota sa i kishte marrë në zgjedhjet qëndrore, ky subjekt politik nuk ka humbur më shumë se 15 mijë sosh në zgjedhjet lokale. Tani ky subjekt politik ka 6,630 vota kur janë numëruar 97 përqind e kutive.
Vitia është një qytet tjetër ku LVV ka humbur mbi 7,904 vota. Në zgjedhjet parlamentare ky subjekt politik kishte dalë i pari me 12,939 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale ka marrë vetëm 5,035 të tyre pas numërimit të 100 përqind të votave në këtë komunë.
Suhareka i dha Lëvizjes Vetëvendosje vetëm 3,071 vota në zgjedhjet lokale, nga 11,843 sa i kishte marrë në zgjedhjet lokale, ose 8,772 vota më pak tani kur janë numëruar 100 përqind të kutive të votimit në këtë komunë të Kosovës.
Shtimja ishtë një rënie tjetër për Lëvizjen Vetëvendosje. Në këtë komunë, ata morën 2,884 vota më pak sesa në zgjedhjet parlamentare tani që janë numëruar 94 përqind të kutive. Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka marrë 4,048 vota nga 6,932.
Rënie të VV-së pati edhe në qytetin e Skenderajt. Vetëm 803 vota i mori ky subjekt politik në qytetin që Fadil Nura i PDK-së e fitoi pa balotazh. Në zgjedhjet parlamentare Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë 4,132 vota. Pra, një rënie prej 3,329 votash.
Qyteti i Rahovecit i dha Lëvizjes Vetëvendosje 7,432 vota më pak në këto zgjedhje sesa në zgjedhjet nacionale. Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur vetëm 4,311, ndërsa në zgjedhjet qëndrore kishte arritur në 11,743 vota. Në këtë komunë deri më tani janë numëruar 96 përqind e kutive të votimit.
Qyteti i Lipjanit e “dënoi” Lëvizjen Vetëvendosje me 10,701 vota më pak në këto zgjedhje. Tani që janë numëruar 80 përqind e kutive të votimit, ky subjekt politik ka marrë vetëm 3,937 vota, nga 14,638 sa i kishte marrë në zgjedhjet qëndrore.
Rënië VV pati edhe në qytetin e Kamenicës. Në këto zgjedhje atje, kur janë numëruar 100 përqind e kutive, LVV ka marrë vetëm 3,522 vota ose më 6,306 më pak sesa në zgjedhjet parlamentare ku kishte mbledhur plot 9,828 vota.
Fushë Kosova ishte një zhgënjim tjetër për LVV-në në këto zgjedhje. Sipas rezultatit të 100 përqind të kutive të numëruara atje, LVV ka marrë 3,342 vota nga 11,371 sa i kishte marrë në zgjedhjet nacionale, ose 8,029 më pak.
Në Klinë, Lëvizja Vetëvendosje ka humbur 4,005 vota. Tani kur janë numëruar 85 përqind të kutive të votimit, Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë ka marrë vetëm 1,561 vota nga 5,566 sa i kishte marrë në zgjedhjet parlamentare.
Gjithashtu rënie pati edhe në qytetin e Istogut për rreth 5,630 vota, ose thënë ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare mblodhi 8,894 vota, ndërsa në zgjedhjet lokale vetëm 3,264 kur janë numëruar 97 përqind të vendvotimve.
Dragashi i dha Lëvizjes Vetëvendosje vetëm 2,042 vota në këto zgjedhje, nga 3,470 sa ia kishte dhënë në zgjedhjet nacionale, ose 1,428 më pak. Atje janë numëruar aktualisht 98 përqind të vendvotimeve.
Në Drenas, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vetëm 3,240 vota në këto zgjedhje, ose 2,644 vota më pak sesa në zgjedhjet parlamentare ku i kishte marrë plot 5,884. Drenasi ka numëruar deri më tani 96 përqind të votave.
Në Deçan, LVV mori vetëm 944 vota, ose 3,854 votë më pak sesa në zgjedhjet nacionale ku i kishte marrë 4,798 vota. Në këtë komunë deri më tani janë numëruar vetëm 62 përqind të votave.
Në disa komuna të Kosovës ende nuk janë numëruar 100 përqind të vendvotimeve, gjë që mund të ndryshojë pak në numrin e votave, por në një total prej 278,882 vota më pak ka grumbulluar Lëvizja Vetëvendosje në nivel të Kosovës.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, ky subjekt politik kishte marrë saktësisht 430,070 vota, ndërsa tani ka marrë rreth 151 mijë vota.