Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaRefuzimi i Gazsjellësit Amerikan, institucionet të paqarta sa i përket investimit të...

Refuzimi i Gazsjellësit Amerikan, institucionet të paqarta sa i përket investimit të 200 milionëve të MCC-së

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë duket se nuk kanë projekt të gatshëm ku do t’i investojnë 200 milionë eurot e MCC-së të cilat ishin të destinuara për ndërtimin e infrastrukturës së gazifikimit në Kosovë ose siç është bërë i njohur për Projektin e Gazsjellësit Amerikan.

 

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe nga ministria e Ekonomisë lidhur me adaptimin e fondeve të MCC-së në projekte të tjera siç është thënë në media nga qeveria, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara në adresat e tyre elektronike.

E gjitha që është thënë, por që nuk qartëson shumë rreth kësaj teme është deklarata e ministres së ekonomisë Artane Rizvanolli e cila pati deklaruar se fondet e MCC-së mund të fokusohen në tri fusha: Investime në kapacitete akumuluese të energjisë; investime në avancimin e rrjetit elektroenergjetik duke përfshirë këtu avancimin e pajissjeve, infestimet në rrjetin e mençur apo ‘smart grid’; por gjithashtu investimet në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore me fokus të veçantë tek gratë.

Por, konkretisht ende nuk dihet se ku do të shkojë shuma prej 200 milionë euro e MCC-së që ishte e destinuar ta gazifikonte Kosovën me gazin si burim të energjisë. Është menduar se Kosova do të lidhej në interkonektorin Bullgari – Greqi nëpërmjet Maqedonisë së Veriut gjë që është raportuar se mund t’i sillte Kosovës edhe njohjen nga Greqia – që bën pjesë në pesëshen e Bashkimit Europian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Madje në një komunikatë të përbashkët për media, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqia i jepnin edhe konotacionin e sigurisë interkonektorit të gazit, përveç dimensionit ekonomik dhe energjetik. Në atë komunikatë, thuhej se interkonektori i planifikuar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut është një zhvillim dhe përparim i madh në këtë fushë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia u angazhuan për qëllimet e tyre të përbashkëta për rritjen e diversifikimit dhe sigurisë së energjisë, promovimin e aksesit të drejtë dhe të barabartë në burimet e gjelbra të energjisë dhe adresimin e ndryshimeve klimatike përmes politikave të dekarbonizimit. Shtetet e Bashkuara përgëzuan Greqinë për rolin e saj në rritje si një qendër energjetike rajonale dhe përshëndetën përfundimin e Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe përparimin në Interkonektorin Greqi – Bullgari, i cili do të operacionalizohet në vitin 2022. Greqia ndau zhvillimet në projektet e tjera energjetike rajonale që do të diversifikojnë më tej furnizimet rajonale të energjisë dhe largimin e qymyrit, siç është Interkonektori i planifikuar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Njësia e Rigazifikimit të Magazinimit Lundrues në Akelsandropoli. Të dyja palët përshëndetën marrëdhinet gjithnjë e më të ndërlidhura të energjisë midis Greqisë dhe SHBA-ve, si në aspektin e tregtisë dhe investimeve dypalëshe, ashtu si dhe shtytjen pozitive të përparimit drejt synimeve të sigurisë energjetike dhe diversifikimit. Greqia vuri në dukje rëndësinë e zbulimeve të gazit natyror nga Izraeli, Qipro dhe Egjipti si një burim i vlefshëm i diversifikuar energjie për Evropën Jugore dhe Juglindore”, thuhej në komunikatë.

Por, cili është në të vërtetë ndikimi i Gazsjellësit Amerikan në fushën e sigurisë?

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se përveç si një resurs energjetik për Kosovën, Projekti i Gazit ka qenë një ofertë e mirë për t’i ikur interferimit ose implikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka shtuar se Rusia është e interesuar të implikohet në aspektin e sigurisë dhe çështja e energjisë është një eksponent që shfrytëzohet.

“Së pari e shohim si një resurs energjetik i mirë për Kosovën dhe është një ofertë e mirë për me i ikë interferimit apo implikimit të Rusisë dhe realisht ka impakt. Unë po i përcjell tani analistat e të gjitha vendeve, që e shohin shumë interesimin e Rusisë në implikimin në aspektin e sigurisë dhe e shohin ni eksponent çështjen e energjisë. Mirëpo, nëpërmjet energjisë ata e shohin shtrirjen gjeostratetike. Nga ky kënd të vështrohet, mendoj se ka qenë shans shumë i mirë i Kosovës të përmbyllet ky kapitull i furnizimit me energji përmes gazsjellësit që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne me e zgjedhë problemin që është gati kryesor për momentin. Ka edhe relacione të tjera, por do të zgjidhej ky problem.”, tha Ibishi për lajmi.net.

Tutje, Ibishi ka thënë se Kosova ka sasi të thëngjillit, por kjo shkakton ndotje. Sipas tij, çështja e ndikimit dhe implikimit të Rusisë mbetet faktori kyç pse Kosova duhej të pranonte projektin amerikan të gazjellësit.

“Realisht ne kemi sasi të thëngjillit, por po ndikon shëndetin dhe po shkakton ndotje. Mundësia pra me e përmbyllë, mendoj se vazhdon të jetë një shans i refuzuar tashmë meqë s’ka kaluar as si mocion në Kuvendin e Kosovës dhe unë mendoj se kjo duhet të rishqyrtohet dhe qeveria e ka lënë një afat të pacaktuar të shqyrtohet. Mendoj se është një çështje e rëndësishme të përmbyllet implikimi i Rusisë si një furnitor strategjik që tenton të futet në këtë pjesë të Ballkanit dhe kjo ka implikime edhe të sigurisë nëse nuk zgjedhjet kjo variant dhe zgjedhet një variant tjetër.”, tha Ibishi.

Gërxhaliu: Mund të ketë pasoja jo vetëm ekonomike, por edhe strategjike, politike e integruese

Sa i përket ndikimit ekonomik, eksperti Safet Gërxhaliu për lajmi.net ka thënë se duhet të bëhen analiza, por jo të imponohet politika refuzuese, sidomos kur shtetet e fuqishme si SHBA-të, Rusia e Kina janë në ofenzivë diplomatike në Ballkanin Perëndimor.

Gërxhaliu konsideron se refuzimi i një projekti të tillë mund të ketë pasoja jo vetëm ekonomike, por politike, integruese, ekonomike e sociale për Kosovën.

“Në rend të parë duhet të kuptohet se partneriteti strategjik me SHBA-të është i pakontestuar, në rend të dytë çfarëdo që të bëjë Kosova e ka të vështirë t’i falënderohet SHBA-ve, qoftë për shtetndërtim, promovim e diplomaci. Kosova nuk e ka komoditetin e refuzimit të projekteve të partneritetit dhe projekteve amerikane. Është koha kur duhet të kemi analizë më të mirë, të kërkojmë sqarime dhe Kosova nuk ka nevojë të prodhojë politikë refuzuese, në veçanti kur edhe Serbia edhe SHBA-të, edhe Rusia edhe Kina janë në ofenzivë diplomatike jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin Perëndimor dhe mendoj se duhet të vazhdohet ky dialog dhe kjo formë e bashkëpunimit me shtetet mike e në veçanti me SHBA-të. Një refuzim i një projekti të tillë mund të ketë pasoja edhe politike, edhe integruese por edhe ekonomike e sociale, prandaj është koha kur duhet të veprohet e jo të refuzohet.”, thotë ai për lajmi.net.

Më tutje, sipas Gërxhaliut Kosova me anë të këtij projekti mund të faktorizohej në Ballkanin Perëndimor dhe sipas tij, duhet të ketë analizë të mirëfilltë, por kurrësesi refuzim të gazit.

“Duhet të kuptohet se projekti i tillë duhet të analizohet në aspektin strategjik, integrues, social dhe ambientalist dhe vet fakti që po e faktorizon Kosovën në Ballkanin Perëndimor ku partner e ka Greqinë dhe Bullgarinë, besoj është përparësi. Nëpërmjet këtij projekti mund të kemi njohje të shpejtë nga Greqia. Kosova po bëhet një vend i interesave që lidhë Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë dhe përmes Kosovës importohet edhe në Serbi dhe mendoj që duhet të ketë analizë, por kurrësesi refuzim dhe të merren veprime të tilla politike dhe jo analitike.”, tha Gërxhaliu.

Çfarë thanë Albin Kurti dhe Artane Rizvanolli?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në arsyetimet e refuzimit të këtij projekti ka deklaruar ndër të tjera në Kuvendin e Kosovës se janë mbajtur takime intensive dhe punëtori me MCC-në dhe janë diskutuar detajet për dizajnimin e projekteve dhe se në këto takime kanë shtruar pyetje për kushtet dhe implikimin e deri te tarifat e energjisë.

“Në mbi 10 dhjetë takime dhe punëtori të mbajtura gjatë kësaj periudhë me MCC kemi diskutuar në detaje për dizajnimin e projektet përmes të cilit do të përkrahje pjesërisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit, por edhe për opsione të tjera siç janë investimi në kapacitetet e shpërndarjes dhe akumuluese në zhvillim të shkathtësive. Në gjitha këto takime ne kemi shtruar pyetje dhe kemi diskutuar analizën preliminare të investimit. Në veçanti se cila do të ishte kosto totale, çfarë pjesë do të ishte garant dhe sa duhet të marrim kredi si shtet. Kush do të operonte dhe ndërtonte Termocentralin, çfarë kushte dhe çfarë implikime do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi dhe tarifat që do t’i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Vendime të tilla definojnë sektorin e energjisë për gjenerata të ardhshme, prandaj ne jemi të përkushtuar t’i marrim të gjitha të dhënat që të marrim vendime të duhura…Për neve kjo nuk është vonesë, kujt i duket vonesë le ta kuptojë se është përgjegjësi dhe seriozitet. Nuk merren kuturu dhe shpejt e shpejt vendimet kaq të mëdha”, tha ai.

Kurti gjithashtu në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar se gazi mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Ai gjithashtu kishte deklaruar se nuk ka të vërteta rreth gazsjellësit përmes Serbisë siç ishte raportuar në media, ndërsa ka thënë se fondet nuk do të rrezikohen pa treguar se ku do të kanalizohen ato.

“Kur po flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunim me MCC-në, nuk jemi duke folur thjesht për gaz amerikan, por thjesht për ndërtim të infrastrukturës. Nëse do të ndërtonim një termocentral me gaz operatorët do të blinte në treg të ri gazin. Mund të jetë amerikan, por s’është e thënë. Të gjithë këta faktorë të shumtë po i marrim parasysh. Po ashtu duhet theksuar se kjo s’ka të bëjë me kërkesë të akterëve amerikan, MCC është organizatë amerikane e cila është duke përkrahur sektorin e energjisë në Kosovë, ne jemi duke falënderuar për këtë gjë dhe jemi mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm… Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit përmes Serbisë aty nuk ka asgjë të vërtetë. Ndërsa fondet që do të jenë nuk do të rrezikohen. Nuk do të rrezikojmë asgjë, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendim pa analiza dhe studim të mirëfilltë paraprak”, shtoi Kurti.

Kurti edhe në një paraqitje të tij televizive në ATV ka deklaruar se ndërtimi i gypave do të finanxohej 25 përqind të shpenzimet kapitale nga MCC-ja dhe pjesa tjetër do të bëhej nëpërmjet kredive, ndërssa ka vënë sërish theksin te çmimet e tarifave.

“Me SHBA-të njerëzit mbase edhe kanë harruar pak, por ne operacionin kryesor që e kemi pasë sivjet është “Defender Europe 2021”. 330 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë, 27 shtete në këtë ndërmarrje më të madhe ushtarake në Evropë me ç’rast në mesin e 16 shteteve nikoqire ishte edhe Kosova. Sa i përket gypave të gazit nuk është menduar që MCC-ja ta financojë atë, prapë është menduar që ne të marrim kredi. Te shpenzimet kapitale MCC-ja do të ndihmonte me 25%, por është ¼ e shpenzimeve kapitale ndërkohë që edhe shpenzimet operacionale janë 60 % të shpenzimeve kapitale. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë çmimi do të paguajnë në fund qytetarët. Nuk është problemi vetëm se si të vendoset gypi Shkup-Prishtinë që ne e ndërtojmë vetë dhe mund ta ndërtojmë më vonë vetë me kredi sërish”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte deklaruar se paratë e grantit të MCC-së nuk do të humbin dhe se ato do të shfrytëzohen për projekte të tjera në investime të cilat janë të rëndësishme për dekarbonizimin e sektorit të energjisë.

“Do të mbeten tek energjia. Ne dje kemi lëshuar një komunikatë ku kemi njoftuar publikun se sëbashku me drejtoreshën menaxhuese për Evropë dhe Paqësor, Caroline Nguyen, e kemi nënshkruar një marrëveshje e cila parasheh që në muajt në vijim ne do të punojmë së bashku ngushtë për të dizajnuar projektet e reja të cilat mund të fokusoheshin në tri fusha, të cilat i kemi identifikuar dhe përzgjedhur sëbashku, këto janë: Investime në kapacitete akumuluese të energjisë; investime në avancimin e rrjetit elektroenergjetik duke përfshirë këtu avancimin e pajisjeve, investimet në rrjetin e mencur apo ‘smart grid’; por gjithashtu investimet në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore me fokus të veçant tek gratë, e cila është tejet e rëndësishme për ne duke marrë parasysh se sektori i energjisë po kalon në një tranzicion të madh, të pa parë më herët, dhe nevojat për shkathtësi, teknologji gjithnjë po ndryshojnë dhe është tejet e rëndësishme që shktathtësitë e të rinjve tanë të jenë në përputhje me nevojat e tregut”, theksoi Rizvanolli gjatë një paraqitje televizive.

Opozita e kritikon qeverinë si të papërgjeshme dhe thekson rëndësinë strategjike të projektit:

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, deputetët e partive opozitare kanë kritikuar qeverinë për qasjen ndaj këtij projekti duke i dhënë rëndësi gjeostrategjike dhe të sigurisë projektit të gazit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se qeveria s’ka ofruar asnjë argument pse është refuzuar projekti i gazsjellësit amerikan.

“Nuk kemi as edhe një argument të vetëm nga qeveria e Kosovës se pse po refuzohet ky projekt.”, tha Tahiri.

Edhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po tregohet i papërgjegjshëm dhe jo-serioz në trajtimin e çështjes së gazit.

“Unë nuk e kuptoj si është e mundur një kryeministër të jetë kaq i papërgjegjshëm të jetë kaq i papërgjegjshëm, kaq jo serioz dhe ta trajtojë në mënyrën më të ulët dhe më të turpshme të mundshme.”, tha Tahiri i AAK-së.

Në anën tjetër, Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se çështjet e tilla duhet të shihen përtej kontekstit ekonomik.

“Çështje të tilla duhet me i pa përtej kontekstit ekonomik, ndoshta më së paku të ekonomisë. Edhe në kontekst të sigurisë, edhe të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar e që disa nga ana e qeverisë as nuk e kanë kuptuar çfarë dua të them me këtë.”, tha Selmanaj.

Ndërsa Kurti tha se nuk po sheh dashuri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as për Kosovën sa po sheh urrejtje për qeverinë, duke theksuar se nuk po dëmtohen marrëdhëniet me SHBA-të dhe s’po humbin fondet e MCC-së.

“Unë nuk po shoh, t’u them të drejtën as dashuri për SHBA-të, as për Kosovën sa urrejtje për qeverinë…  Nuk kemi humbur kurrëfarë fondesh dhe nuk ka absolutisht kurrëfarë dëmtime raportesh me SHBA-të. Frika dhe paniku i tillë janë të pavend, nëse viti i ka 52 javë, unë e takoj ambasadorin amerikan 52 herë në vit.”, tha Kurti.

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se fondet e MCC-së do të adaptohen në investime që i kontribuojnë integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe zhvillimit të shkathtësive të të rinjve me fokus të veçantë tek gratë.

“Granti i MCC-së prej deri në 200 milionë dollarë, nuk është humbur, nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar. Granti do të përdoret për investime që i kontribuojnë integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe zhvillimit të shkathtësive të të rinjve me fokus të veçantë tek gratë. Marrëdhëniet me MCC-në, SHBA-të ose ndonjë institucion tjetër amerikan nuk janë rrezikuar ose dëmtuar në ndonjë moment, ato janë të shkëlqyeshme.”, tha ajo.

Ndërkohë, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Ekonomisë lidhur me fondet e MCC-së dhe shpërndarjen e tyre nëpër projekte të tjera, por ende nuk dihet se ku do të investohen ato.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments