Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeRasti Dehari, MD’ja ende s’e ka kthyer në punë Kryeinspektorin Ylber Topalli

Rasti Dehari, MD’ja ende s’e ka kthyer në punë Kryeinspektorin Ylber Topalli

Ministria e Drejtësisë ende s’ka filluar ta zbatojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për kthimin në punë të Kryeinspektorit Ylber Topalli. Për ta bërë këtë, Ministria ka kohë edhe disa ditë, por vetë Topalli thotë se ende s’ka lëvizje në këtë drejtim. Topalli thotë se “qetësia e tij” do të vijë vetëm kur të zbardhet rasti Dehari, derisa ka thënë se hetuesia duhet të orientohet “se kush ia ka sjellë situatën që e ka detyruar Astritin të bëjë vetëvrasje”.

Në mars të këtij viti, Ministria e Drejtësisë e kishte shkarkuar Ylber Topallin nga pozita e Kryeinspektorit, nën dyshimin se i njëjti kishte bërë shkelje të rënda procedurale lidhur me rastin e Astrit Dehari.

MD’ja e akuzonte Topallin se i kishte marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i kishte dërguar në Ministrinë Drejtësisë.

“Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtesisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bartë detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.

Po ashtu, i njejti ka hartu dy raporte kontradiktore lidhur me rastin: Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njejtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, thuhej në njoftimin e Ministrisë për shkarkimin e Topallit.

Këtë vendim të Ministrisë, e ka rrëzuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me vendimin e Këshillit, obligohet MD’ja që ta kthej Topallin në vendin e punës brenda 15 ditësh nga data e pranimit të vendimit si dhe që t’ia bëjë kompensimin e pagave të ndaluara në mënyrë retroaktive.

Por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Vetë Topalli i ka thënë Gazetës Express se ende nuk ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim nga ana e Ministrisë, edhe pse ka ende kohë.

“Vendimi obligon Ministrinë e Drejtësisë që në afatin 15 ditë pas marrjes së vendimit, ankuesi duhet të kthehet në vendin e punës dhe t’i bëhet kompenzimi i pagave të ndalura. Akoma jemi brenda afatit dhe deri më tani nuk ka pasur lëvizje”, ka deklaruar Topalli.

Vendimin e Këshillit për ta kthyer në punë, Topalli ka thënë se e konsideron si fitore të drejtësisë, por se “qetësia e tij” do të vie vetëm kur të zbardhet rasti Dehari.

“E para dua të them se vendimin e KPM e konsideroj si fitore të drejtësisë dhe si satisfaksion moral timin personal. Unë kam qenë i bindur për një fund të tillë të kësaj odisejade të drejtësisë, por tashmë kur drejtësia ka edhe vulën e drejtësisë unë ndihem pak më i qetë. Qetësia ime vjen atëherë kur rasti Dehari ndriqohet dhe atëherë kur familja Dehari dhe mbarë populli e gjenë qetësinë për këtë rast”, ka thënë kryeinspektori.

Lidhur me rastin Dehari, Topalli ka deklaruar se hetuesia duhet të orientohet “se kush ia ka sjellë situatën që e ka detyruar Astritin të bëjë vetëvrasje”.

“Pas kthimit të raportit nga Instituti i forenzikës austriake tek unë nuk ka dilema për vetëvrasje, sepse raporti e vërteton vërtetësinë e kamerave që janë të pamanipuluara dhe se në atë dhomë ku ka ndodhur rasti askush nuk ka hyrë brenda, por këtë duhet ta konstatojnë organet e drejtësisë. Për mendimin tim hetuesia duhet të orientohet se kush ia ka sjellë situatën që e ka detyruar Astritin të bëjë vetëvrasje dhe kjo në raportin tim është konstatuar se SHKK në asnjë rrethanë nuk ka pasur rol apo në çfarëdo mënyre të ketë ndikuar në aktin e vdekjes së tij”, ka deklaruar ai për Express.

Vendimin e KPM për ta kthyer në punë Topallin, e ka komentuar edhe zëvendësministri Blerim Sallahu, i cili e ka quajtur absurd dhe “në kundërshtim të plotë me faktet dhe provat që i ka konstatuar Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë”.

Ai ka thënë se do ta kontestojnë në Gjykatë dhe se do të kërkojnë masë të përkohshme.

“Duket sheshit që ky Vendim i Këshillit është i ndikuar. Si të tillë do ta kontestojmë në Gjykatë, me kërkesën për masë të përkohshme njësoj sikur edhe i bëjmë thirrje PSRK që ta adresojë seriozisht Raportin që kemi dërguar, duke përfshirë edhe procesin deri tek kjo vendimmarrje absurde dhe e paligjshme”, ka thënë Sallahu.

Për këtë deklaratë të Sallahut, Topalli ka një këshillë.

“Mund të them se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës raportin e komisionit të MD, në bazë të të cilit jam suspenduar dhe më pas edhe larguar nga puna, është shpallur i paligjshëm në shumë pika të tij. MD duhet të mësohet të mos i komentoj vendimet e institucioneve të drejtësisë, sepse ato janë të pavarura më punën e tyre”, ka thënë Topalli.

Çka kishte deklaruar Topalli për gjetjet e raportit që çuan në shkarkimin e tij?

Në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se Topalli ishte shkarkuar për shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Saktësisht, ai dyshohej se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i kishte dërguar në Ministrinë Drejtësisë.

Këtë e kishte mohuar Topalli.

“Ata konstatojnë që kamerat janë marrë, gjoja se unë si kryeinspektor i kam marrë kamerat para policisë. Nuk është e vërtetë”, kishte thënë ai në një intervistë pas shkarkimit.

Në njoftimin e MD’së thuhej edhe se Topalli ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin.

“Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”- thuhet tutje në njoftim.

Për raportin e parë, Topalli ka thënë se s’ka qenë i protokolluar fare dhe si i tillë s’konsiderohet zyrtar, por vetëm informativ.

“Bëhet fjalë për një raport të datës 16 nëntor që është një raport preliminar, njoftues që raportet e tilla nuk është vetëm i datës 16 por ka edhe tjera raporte, qoftë me telefon që e kam njoftu kabinetin e asaj kohe, edhe ministren, qoftë me gojë. Inspektimi ka zgjatur mbi 15 ditë dhe unë për çdo ditë kam gjet elemente të reja dhe kam thënë kështu-kështu. Ajo është një pjesë e raportit e paprotokolume, nuk është raport zyrtar, është raport informativ për kabinetin, kështu ka ndodhë, i nënshkruar prej meje, për me dhanë autorizim që unë e kam dërgu atë raport. Dhe kur kanë përfundu të gjitha elementet e tjera, unë e kam bërë raportin përfundimtar me numër të protokollit, e kam protokolu me numër zyrtar dhe e kam dërgu në Kabinet dhe është raporti i datës 21 nëntor 2016. Raporti i datës 16 dhe raporti i datës 21 dallojnë vetëm për shkak të qasaj terminologjisë”, kishte thënë Topalli./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments