Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka mbajtur konferencë për media lidhur me rregulloren për operacione me para gatshme të Bankës Qendrore të Kosovës.
Rashiq ka thënë se dje ka pasur takim me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili dhe me kryeministrin Kurti ku i është sqaruar rreth ndalimit të përdorimit të dinarit si mjet pagese në Kosovë.
“Unë dje kam pasur një takim me Guvernatorin, Ahmet Ismaili në lidhje me ngjarjet rishtazi sa i përket rregullores së BQK-së , Ismaili ka qenë shumë i thukët me shpjegimin e tij sa i përket implementimit të kësaj rregullore. Dje pasdite jam takuar dhe me Kurtin që dua ta falënderoj për gjetjen e mënyrës për implementimit të rregullores dhe përdorimit të dinarit”- tha ai.
Ministri Rashiq tha se kanë rënë një përfundim gjatë takimit me Kurtin që të ketë një periudhë të tranzicionit që qytetarët të kenë kohë të bëhen gati.
“Pasdite dje kur jam taku me Kurtin, kemi ardhur deri te një përfundim që Kurti edhe e ka shpall, kjo sa i përket një periudhe tranzicioni që shfrytëzuesit të përgatiten për përdorimin e euros. Mendoj që kjo është mënyra e duhur që ne duhet të vazhdojmë” – tha ai.
Rashiq tha se personave që nuk kanë llogari bankare do t’iu mundësohet që të hapin pa pagesë xhirollogari.
Ministri Rashiq tha se ekzistojnë dhe janë diskutuar dy mënyra të përdorimit të dinarit në Kosovë.
E para sipas Rashiq është bashkëpunimi në mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Ai tha se ka marrë konfirmimin nga guvernatori Ismaili që sot do të kontaktojnë me Bankën Qendrore të Serbisë.
Ministri tutje u bëri thirrje qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë që të mos bien pre e lajmeve të rreme, ku po thuhet se do të mbyllen edhe institucionet shëndetësore e arsimore.
“Dua ‘ju them të gjithëve posaçërisht punonjësve në këto institucione se diçka e tillë nuk do të ndodh, kam zotimin e kryeministrit për këtë dhe kjo do të thotë se ata munden lirisht të vazhdojnë me punën e tyre. Në këso rrethanash shihet se lajmet e rrejshme janë ato që më së shpejti shpërndahen”, tha Rashiq.