Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosova“Dua të shkoj për 10 ditë ose 2 javë”, takimi me MCC’në...

“Dua të shkoj për 10 ditë ose 2 javë”, takimi me MCC’në i pari në agjendën e Kurtit

Një vizitë zyrtare e Kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përfolur gjatë në skenën politike. Fillimisht u tha se ai do të udhëtojë atje në nëntorin e vitit të kaluar, pastaj në janar të këtij viti. Sido që të jetë, muaji maj shefin e qeverisë po e gjen në udhëtim zyrtar Amerikë. Të premten, zyra e tij njoftoi se Kryeministri tashmë ndodhet në SHBA, por pa treguar saktë kë do ta takojë atje, e as sa do të qëndrojë.

Në njoftimin që ka dërguar sot zyra e tij, thuhet se Kurti do t’i takojë zyrtarët shtetërorë amerikanë pa specifikuar emra.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në ShBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.  Sot do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftimin zyrtar të ZKM-së.

Kurti ka udhëtuar drejt SHBA’së, pasi ka qëndruar në Berlin, për takime me kancelarin e Gjermanisë Olaf Sholz dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në një vilë shtetërore gjermane me Miroslav Lajcakun si ndërmjetës.

Rreth dy javë më herët në Kosovë kishte qëndruar asistentja e Sekretarit të Shtetit Karen Donfried bashkë me emisarin amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar që është përgjegjës për dialogun Kosovë -Serbi .

Donfried kishte deklaruar se Kurti e Osmani nuk ia kishin përmendur ndonjë kusht për takime me palën serbe.

Javë më parë, për vizitën e tij, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se në Amerikë do të qëndrojë 10 ditë apo dy javë, pasi është vend i madh për të qëndruar vetëm dy-tri ditë.

“Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh, por edhe takimet që dua t’i bëj atje do jenë edhe më të shumta se sa në Evropë, ku mund të shkosh edhe për dy ditë”, u kishte thënë Kurti gazetarëve në muajin mars kur ishte pyetur se kur do të udhëtojë për vizitë zyrtare në ShBA.

Kryeministri Kurti javën e kaluar qëndroi në ShBA në një vizitë jozyrtare. Ai së bashku me shefen e shtetit, Vjosa Osmani morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares Madeleine Albright.

Megjithëse Osmani realizoi disa takime në Kongres e Senat, Kurti pati një takim të nivelit të lartë atë me Këshilltarin e Sekretarit Blinken, Derek Chollet.

Ndërkaq në Katedralen Kombëtare në Washington DC ku u mbajt ceremonia e varrimit e ish-Sekretares Albright, kryeministri Kurti e presidentja Osmani, takuan dhe u fotografuan me Sekretarin Blinken, ish-presidentin Clinton, ish-kongresmenin Engel, ish-sekretaren Hillary Clinton.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments