Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe ka shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj të akuzuarit R.P, pasi pranoi fajësinë se në prill të këtij lajmëroi rrejshëm policinë kinse persona të panjohur kishin hyrë në shtëpinë e tij dhe i kishin vrarë të gjithë anëtarët e familjes.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit, u shpall të mërkurën nga gjykatësi Ertan Sejfulla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i akuzuari R.P nuk kryen vepër tjetër penale.
Ndaj tij u shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, i cili trajtim do të mbahet në institucionin shëndetësor në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, duke filluar nga dita vijuese pasi që ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë.
I akuzuari R.P obligohet që të paraqitet në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë që t’i nënshtrohet trajtimit psikiatrik sipas rregullave të caktuara nga mjeku përkatës.
Sipas këtij aktgjykimi, Qendra e Shëndetit Mendor është e obliguar një herë në 6 muaj ta njoftojë gjykatën lidhur me gjendjen shëndetësore dhe suksesin e trajtimit të personit të lartcekur.
Në rast se i pandehuri nuk i nënshtrohet trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, kjo gjykatë sipas detyrës zyrtare do ta zëvendësojë këtë masë me masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim.
Masa e tillë e shqiptuar ndaj të akuzuarit, do të pushojë kur trajtimi apo rehabilitimi nuk janë të nevojshëm, por e njëjta nuk mund të zgjas më shumë se 3 vite.
I akuzuari R.P është liruar nga shpenzimet e procedurës.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të 2021-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, R.P po akuzohet se më 28 prill të këtij viti, në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, i akuzuari përmes telefonit ka lajmëruar rrejshëm se “persona të pa njohur kishin hyrë në shtëpinë e tij dhe i kishin vrarë të gjithë anëtarët e familjes”.
Aktakuza thotë se, pasi që policia Njësia AS-101 ka shkuar te shtëpia e të pandehurit dhe kanë kontaktuar me të dhe me dëshmitarin K.P, ky i fundit ka njoftuar policinë se të gjithë anëtarët e familjes janë në gjumë dhe shëndosh e mirë.
Me këtë, R.P po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë” nga neni 382, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë.