Raporti preliminar i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve i BE-së për Kosovën lidhur me raundin e dytë të zgjedhjeve ka lëshuar disa konstatime, ku përfshihen edhe polemikat që ngritën shkuarja e kryeministrit Albin Kurti me ministrat e tij nëpër fushatë të kandidatëve të VV-së nëpër komuna.
“Kandidatët e LVV-së e portretizuan veten si lehtësues apo edhe garantues të fondeve dhe projekteve të financuara nga buxheti qendror. Këtë mesazh e kanë përsëritur edhe kryeministri, ministrat dhe deputetët e LVV-së”, thuhet në një nga konstatimet e misionit vëzhgues së zgjedhjeve.
Po ashtu, raporti me kritika përcolli edhe miratimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve për 100 euro më shumë përgjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
“Gjithashtu, mes dy raundeve, qeveria njoftoi për një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale për muajt nëntor dhe dhjetor 2021.7 Derisa qeveria i prezantoi këto masa si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, të miratuar në qershor 2021, koha e këtij vendimi u dha një përparësi të padrejtë kandidatëve të LVV-së, në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare
“Shumë bashkëbisedues të EU EOM-së ngritën shqetësime se këto masa përbënin blerje indirekte të votave dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore nga partia në pushtet”, u tha tutje.
Gjithashtu, në raport përmenden edhe shkeljen e heshtjes zgjedhore të kryeministrit Kurti. “Në ditën e heshtjes zgjedhore, kryeministri i vizitoi së paku dy komuna (Gjakovën dhe Podujevën) për tu takuar publikisht me kandidatët e LVV-së”, thuhet tutje në raport.
Në raport pati kritika edhe për mos-respektimin e masave anti-Covid, ku në disa tubime ishin edhe mbi 500 pjesëmarrës.
“Fushata u intensifikua dy javë para ditës së zgjedhjeve me takime më të mëdha. EU EOM vëzhgoi 42 tubime të fushatës, përfshirë disa tubime me mbi 500 pjesëmarrës dhe të organizuara në ditët e fundit të fushatës.6 Këto tubime u zhvilluan në një atmosferë festive, duke injoruar në masë të madhe masat anti-COVID”, deklarohet në raportin preliminar të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja.
Votimi dhe numërimi në Kosovë u vlerësuan pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së.