Kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci nuk arriti të bëhet kryetar i Drenasit në raundin e parë, por beson fuqishëm në balotazh do të mposht kundërkandidatin e tij, Driton Ajazi.
Lladrovci në një intervistë për Reporterin ka dhënë detaje nga biseda që zhvilloi ditë më parë me Hashim Thaçin e Rexhep Selimin të cilët gjenden në Hagë.
“Biseda ishte e rastit, ishte thirrje nga z. Thaçi. Ishte e papritur, prandaj e kam quajtur edhe ndër bisedat më emocionale në jetë. Ishte hera e parë që kam biseduar me të prej se ndodhet në Hagë, ndërsa pas përshëndetjeve, pyetjeve për shëndetin e të gjithëve atje, vazhdova si bisedë që bëhet me shokun, ndërsa ai më pyeti rreth situatës këtu, të cilën e përcolli me mesazhin, “je i pathyeshëm, veç vazhdo”, shpreha falënderim me dëshirat për ta pritur sa më parë në Kosovë.
Pastaj, më tha “Ramiz, qe edhe dikush do me të përshëndet në telefon”. Së pari mendova se po bisedoj me mikun tim, Kadri Veseli, iu drejtova “alo Kryetar”, Rexha me të qeshura ma priti, “ma kadale, Rexha jam, Rexha o Ramiz”, i kërkova falje, e përshëndeta dhe urova të ketë shëndet.Tema ishte e njëjtë, urimi që lirimi i tij dhe shokëve tjerë të bëhet sa më parë”, la treguar Lladrovci.