Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ish-partneri i koalicionit, PDK, ka shfaqur pakënaqësi nga muaji tetor 2023 dhe vendimi për këmbimin e pronës në Badovc nuk ka qenë arsyeja e vetme pse ka dalë nga koalicioni.
Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ theksoi se PDK ishte ankuar se nuk i janë dërguar pikat e rendit të ditës së pari atyre, gjë të cilën Rama e konsideron të palogjikshme për bojkotim, më pas, të seancave
“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”- deklaroi Rama.
Përparim Rama tutje dha detaje se çfarë u bë shkak që shkarkoi tashmë ish-nënkryetaren nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, dhe ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, vetëm pasi kjo parti doli publikisht kundër përkrahjes për këmbimin e pronës në Badovc.
“Në aspekt të mbeturinave ka qenë problem që nga fillimi, kemi marrë hapa për këtë, janë ndarë fonde e subvencione për drejtorinë, prej vitit të kaluar kemi pasë takime urgjente, dhe kanë thënë se kanë plan ta zgjidhin. Në gusht u kam thënë se kjo është e fundit sepse nëse nuk ka mundësi të kryejë punë vetëm “‘Pastrimi”, na duhet ndihmë. Më janë lutur të vazhdojë deri në nëntor, drejtori i Shërbimeve Publike, ‘Pastrimit’ dhe nënkryetarja”- ka thënë Rama.
“Nuk është bërë zgjidhja, tani në shkurt problemi është edhe më i madh prandaj është dashur ta marr vendimin”- shtoi më tej Rama.
Ai theksoi se vendimi nuk ka të bëjë asgjë me rastin e Badovcit.
“Nuk ka të bëjë më Badovcin. I kemi treguar të gjitha faktet. Kjo ka qenë arsyetim i tyre që kinse ne po e mbrojmë Badovcin nga ndërtimet, kush po u thotë të ndërtojnë?”- shtoi më tej Rama.
Derisa, lidhur me shkarkimin e ish-nënkryetares Donjeta Sahatçiu, Rama tha se e ka sabotuar planin e Komunës për digjitalizim gjë që, sipas tij, ajo e kishte pasur qëllim kryesor.
“Në shtator kur ishte problemi i shpërndarjes së librave me Ministrinë e Arsimit e kam ftuar drejtoreshën, Besianën, dhe nënkryetaren që ka qenë e dedikuar për digjitalizim dhe u kam kërkuar ta shtyjnë procesin përpara që mos të humb koha. U pajtuam që të shtyhet ky proces për digjitalizim dhe në dhjetor i thash prapë nënkryetares, por më tha se është kundër sepse Agjencia e Shoqerisë së Informacionit nuk e lejon”- deklaroi Rama.
Por, i pari i Prishtinës shton se para saj kanë shtyrë edhe procese tjera si e-leja, ku kanë kuptuar se ka bazë ligjore të ndërlidhen me ligjet europiane për privatësi.