Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaRama: Njohja e Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes...

Rama: Njohja e Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për televizionin spanjoll “RTVE”, ka folur edhe për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e dialogut që dy shtetet janë duke zhvilluar me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje finale.

Rama ka thënë se tensionet janë pjesë e procesit dhe se s’mund të pritet që një proces pajtimi të vazhdojë qetësisht dhe pa tensione.

Ai thotë se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia është kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë.

“Tensionet janë pjesë e këtij procesi. Ne nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është se tensionet lindin por edhe treten pasi të dy palët, sidoqoftë, komunikojnë dhe përpiqen të gjejnë zgjidhjet e nevojshme  për njerëzit. Nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe sepse kemi bashkëpunim rajonal, me takime dhe mbledhje të shumta, vajtje-ardhje dhe samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja  Jugosllavisë, e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka thënë Rama.

Ndërkohë i pyetur për faktin që Spanja ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Rama ka thënë se pozicioni i Madridit zyrtar nuk ndërlidhet fare me shqiptarët apo me Kosovën, por me historinë e vetë Spanjës dhe problemet e brendshme.

“Është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme. Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet për pavarësi dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, ka theksuar Rama.

 

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments