Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thyer heshtjen për mosftesën e tij nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Rama ka thënë se s’ka dashur që të flasë para se të përfundote takimi, meqë s’dëshironte që të shqetësojë mikëpritesin dhe të ftuarit e tij në Athine.
Rama ka thënë se kryeministri grek ka marrë iniciativë për të mbajtur takim me liderët e rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus.Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën e përbashkët
“Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE”, ka shkruar Rama në twitter.
Rama tutje ka thënë se shpreson që takimi të ishte produktiv dhe thotë se më mirë të mos e kishte parë që darka është përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor, kundrejt qëllimit dhe nismës dhe thotë se shpreson që një fakt i tillë të mos i ketë ngatërruar të ftuarit.
“Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, ka shtuar Rama, raporton Express.
Tutje kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka thënë se në tetor në Tiranë do të organizohet Samiti i Procesit të Berlinit, dhe shton se në këtë takim ka ftuar kryeministrin grek dhe potencon se kurrë s’do të mund ta imagjinonte që të ftonte në vend të tij presidentin grek, për të cilin Rama thotë se ka respektin më të madh.
“Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një grumbull dheu. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë është në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, ka përfunduar Edi Rama.