Radhë kilometrike për të hyrë në Kosovë janë krijuar ditën e sotme për shkak të masave anti-COVID që po zbaton pala kosovare në pikën e kalimit kufitar në Vermicë
Për të hyrë në territorin kosovar, qytetarët duhet të paraqesin një test negativ të PCR-së ose vërtetim vaksinimi, por kjo ka shkaktuar një situatë të pazakontë në Morinë. Tashmë prej disa orësh qytetarët që duan të shkojnë në Kosovë, po presin për të kaluar në pikën e kalimit kufitar në Vermicë, gjë që ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh.
Qindra automjete të Kosovës dhe të Shqipërisë po presin në Rrugën e Kombit, për të hyrë në Kosovë dhe radhët e makinave arrijnë deri në 10 km, duke krijuar një trafik të dendur. Në shenjë proteste, shoferët kanë filluar që t’u bien borisë. Një tjetër shkak për fluksin e lartë të mjeteve që janë në pritje është edhe kthimi i kosovarëve nga pushimet bregdetin shqiptar.
Qytetarë, të cilët prej orësh presin të kalojnë kufirin, e kanë kthyer rrugën e Kombit në një pedonale dhe shihen duke lëvizur në këmbë. Ndërkohë që për Report Tv, ato shprehen se do të ishte më mirë që kufiri Shqipëri-Kosovë të ishte mbyllur, pasi në këtë mënyrë po i mbajnë me orë të tëra në pritje.
‘Po presim nga 45 minuta që të futemi në Kosovë. Kjo është Merdari i dytë!’- tha një qytetar.
‘Jemi që dy orë duke pritur. As qeveria nuk po punon, kjo nuk është normale, që dy orë na kanë lënë duke pritur!’- tha një tjetër.
‘Kemi një orë që po presim, këtu, kemi qenë me pushime. Nuk është normale më mirë që ta mbyllin kufirin fare dhe e dimë që ikim e nuk vijmë më fare.’- u shpreh një tjetër qytetar.
Nga data 31 gusht, në Kosovë u futën në fuqi masat e reja anti-COVID të cilat do të zbatohen deri me datë 13 shtator. Të gjithë personat që do të futen në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, do duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit apo teste PCR/antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë. Nga kjo masë u prekën edhe shtetasit shqiptarë, të cilët tashmë janë bllokuar në trafik në pikën kufitare në Morinë. Ndryshe nga Kosova, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Shqipërisë mund të futen lirisht pasi vendi ynë nuk ka të vendosur asnjë masë kufizuese.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë këto masa kufizuese, me qëllim të kufizimin e pandemisë COVID-19, pasi situata me koronavirusin në vend është përkeqësuar, ku vihet re një rritje e ndjeshme e infektimeve dhe viktimave nga COVID-19.
Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar me një orë dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme. Institucionet publike dhe private janë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial deri më 13 shtator. Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës. Ndërsa, qeveria vendosi që viti i ri shkollor të nisë me 13 shtator, nga data 1 që ishte parashikuar nisja.
https://tiger.cdnja.co/v/bb/BBPZ2.mp4?secure=2vzqIqqa3qzu0lrZzCsi7g&expires=1630614600