Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, në emisionin Frontal të T7, duke akuzuar PDK-në për korrupsion, tërthorazi thotë se kryetar i Prizrenit do të jetë Shaqir Totaj i PDK-së.
Quni filloi duke akuzuar qeverisjen e PDK-së për korrupsion, duke përmendur edhe ish-kryetarin e PDK-së në Prizren, Ramadan Mujën.
E sipas Qunit, viktimë e njëjtë do të jetë edhe Totaj kur të zgjedhet kryetar i Prizrenit.
“Është e pakuptueshme për mua të flitet për krimin e organizuar dhe korrupsionin kur dihet kush ka filluar me instalu, Partia Demokratike e Kosovës. Qeveria aktuale kanë filluar me trashëgu. Por, aferat dhe arrestimet e para që kanë ardhur kanë përfunduar në bankën e të akuzuarit. E kam fjalën për z. Ramadan Muja. Prapë janë grupet e veçanta që i kanë të njëjtat interesa. Kam frikë që viktima e radhës do të jetë Totaj”, ka thënë Quni.
Gazetari Arsim Lani pyeti se a i bie kjo që Totaj do të jetë kryetar i ardhshëm në Prizren?
“I bie që Totaj do të jetë kryetar i Prizrenit?”, pyeti Lani.
“Jo, viktimë e interesave që i ka në grup”, është përgjigjur Quni.
Ndërsa i shpejt ka qenë reagimi i Totaj ku ka thënë se PDK-ja është reformuar dhe akuza të ngjashme ka drejtuar kah LDK-ja.
“Duket se Quni nuk ka informacione të mjaftueshme. Ne në kryesi të Degës së PDK-së, natyrisht edhe lista jonë për kandidatët për Asamble ka emra të rinj. Sa i përket krimit dhe korrupsionit, unë jam një ndër themeluesit e Administratës Tatimore të Kosovës, ne kemi pasur drejtor amerikan, në momentin kur drejtor i financave është bërë Ali Sadrija, ka filluar shkatërrimi i institucionit… janë krijuar pasoja që juve as mendja nuk ia merr. Pengimin e institucionit e ka bërë ndikimi politik që ka ardhur nga LDK-ja”, shtoi Totaj.