Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeQUINT’i ishte dje në Kryeministri – cilat janë qëndrimet e diplomatëve për...

QUINT’i ishte dje në Kryeministri – cilat janë qëndrimet e diplomatëve për ‘ndalimin’ e dinarit

Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore në dhjetor të vitit të kaluar që thotë se valuta e vetme për kryerje të transaksioneve në Kosovë është euro. Për rrjedhojë dinari serb përjashtohet nga përdorimi nga data 1 shkurt. Ky vendim nxiti reagimin e serbëve të Kosovës cilët vazhdojnë të paguhen nga shteti serb me këtë valutë. Autoritetet e Kosovës thonë se kjo është çështje kushtetutshmërie, ndërsa në Beograd filloi propaganda se ky është “qëllimi i Albin Kurtit për dëbimin e serbëve”.

Pasi BQK nxori rregulloren, ankesat e para filluan nga krerët e institucioneve në Beograd. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, u mundua ta paraqesë si goditje për dialogun e Brukselit.

“Kurti nuk kontribuon për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por vret çdo lloj dialogu”, tha ajo.

Menjëherë pas saj, reagoi edhe partia e mbështetur nga Beogradi, Lista Srpska, e cila e tha të njëjtën.

“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe pasi nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani vendosi që ta ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu ta kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”.

Ky zhvillim nxiti edhe reagimin ndërkombëtar.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se vendimi që të mos lejohen pagesat në Kosovë me dinarin serb, ishte një “befasi e panevojshme”.

“Ne mendojmë se gjëja më e rëndësishme tani është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por po ashtu që Kosovës t’i jepet mundësia e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. Ne duhet të përqendrohemi në këto dhe të shmangim temat që nuk janë në interes të përbashkët”, tha Hill.

Përveç Hillit reagoi edhe vetë shteti i tij.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit në një përgjigje për media ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK’së me të cilin nga 1 shkurti përjashtohen pagesat me dinarë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, ka thënë zëdhënësi.

Ambasadori i SHBA Jeff Hovenier nuk u ka në takimin e së premtes me Kurtin. Sidoqoftë, aty ishte e ngarkuara me punë Alison Grunder.

Ndërkaq, Bashkimi Europian tha se çështjet e tilla duhet të diskutohen në tavolinën e bisedimeve që i lehtëson

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, arsyet, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë, por në përgjithësi Kosova dhe Serbia pritet që të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin në terren”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media.

Qeveria gjermane doli me kërkesë specifike duke i kërkuar Kosovës që të shtyjë planet për zbatimin e vendimit.

“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës-zëdhënëse e qeverisë.

Derisa këtë çështje e konsideron është një vendim sovran për Kosovën, Hoffmann e quajti vendimin për valutën një “hap të rëndësishëm me pasoja të gjera”, që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje.

Ndërsa Ambasadori Jorn Rohde që ishte mbrëmë te Kurti, me herët ndau shqetësimin e BE’së për vendimin.

Por, pak më ndryshe mendon Mbretëria e Bashkuar e cila po i gëzohet zbatimit në tërësi të Kushtetutës nga ana e institucioneve kosovare.

Ambasadori Nicholas Abbott, tha se është i lumtur kur sheh thirrje për zbatimin e Kushtetutës, qoftë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë nenin 11 të saj që lejon vetëm një valutë në vend. Megjithatë, ai kërkoi që të ketë komunikim me komunitetet e prekura.

“Jam shumë i lumtur kur shoh thirrje që të zbatohet kushtetuta e Kosovës, qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, qoftë neni 11. Ajo që nevojitet është komunikimi më i mirë për komunitetet e prekura dhe zbatimi i inskenuar i masave për të lejuar njerëzit të rregullohen”, shkroi ai në Facebook.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kërkoi nga aleatët që kërkesat për Kosoën t’i parashtrojnë për respektim të tërësishëm të Kushtetutës.

“Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë “cherry picking” [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë “cherry picking”, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë Bislimi të mërkurën në një konferencë për media.

Interesimi i ndërkombëtarëve vazhdoi me shkuarjen e ambasadorëve të QUINT’it dhe shefit të zyrës së BE-së në zyrën e kryeministrit Kurti.

Kurti i priti ata i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Bislimi dhe sigurisht që tema kryesore në këtë takim, të cilin Zyra e Kryeministrit e përshkroi si të rregullt, ishte dinari.

“Takimi u zhvillua në kuadër të takimeve të rregullta me ambasadorët, në qëllim të informimit, diskutimit dhe koordinimit mbi temat të ndryshme aktuale. Ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ajo rreth Rregullores së Bankës Qendrore që pritet hyjë në fuqi nga 1 shkurti, me theks të veçantë të neni 35 i saj i cili përcakton se valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme sipas nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Kurti, i cili më herët s’foli mbi këtë çështje përkundër reagimeve, në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore.

Çka tha BQK?

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë”, e cila vepron në vendbanimet e banuara me serbë në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postës) dhe “NLB Komercijalna banka”.

Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments