Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajnë sot konferencë për media.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se konferenca do të nisë në 17:30.
Ata thanë sot se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi i së premtës në kanalin e Ibër Lepencit po kthehet në normalitet.
Rizvanolli njoftoi sot se mbrëmë ka nisur furnizimi me ujë në Mitrovicn e Jugut dhe Veriut dhe në Zveçan.
“Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, shkroi ajo.
Kurti, duke e shpërndarë këtë njoftim, shkroi se pprurjet e ujit në KEK kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit “Kosova B”, se ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës, se ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit dhe se së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.