Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaQeveria: Po bëjmë maksimumin t’u kundërvihemi ndikimeve të Rusisë

Qeveria: Po bëjmë maksimumin t’u kundërvihemi ndikimeve të Rusisë

Qeveria e Kosovës beson se i ka të njohura qëllimet e Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor dhe nuk resht për t’iu kundërvënë ndikimeve të saj eventuale në Kosovë, thonë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Influenca e zhurmshme e Rusisë, por edhe influenca e heshtur e Kinës në Ballkanin Perëndimor, janë duke u parë me shqetësim nga NATO-ja dhe ky shqetësim reflektohet edhe përmes deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerëson Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin me ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, në Riga të Letonisë, më 1 dhjetor, ka folur edhe për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, për “ zhvillimet shqetësuese në Bosnjë e Hercegovinë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Së fundmi kemi parë tensione në ngritje, duke përfshirë Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën, me më shumë retorikë agresive, me ngecje në reforma dhe aktorë të huaj duke punuar për ta zvogëluar progresin”, ka thënë Stoltenberg.

Qeveria e Kosovës: Po bëjmë maksimumin t’u kundërvihemi ndikimeve të Rusisë

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për të komentuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe nëse kanë njohuri konkrete për “aktorët e huaj” dhe “rritjen e ndikimit dashakeq” të tyre.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se ekzekutivi beson se përpjekjet e Federatës Ruse në Ballkanin perëndimor “ janë të njohura dhe evidente”.

“Federata Ruse, vazhdimisht, sidomos nëpërmjet Serbisë, synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe ta dobësojë Bashkimin Evropian. Ju rikujtojmë se ne, së fundmi, kemi shpallur persona non-grata (të padëshirueshëm) dy zyrtarë rusë në Kosovë. Si institucione të shtetit po bëjmë maksimumin t’u kundërvihemi këtyre ndikimeve, gjithmonë në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut për Radion Evropa e Lirë. Më 22 tetor të këtij viti, Kosova ka urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati njoftuar se dy diplomatë të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë urdhëruar të largohen nga vendi, pasi që ishin shpallur të padëshirueshëm.

Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t’i shpallin persona të padëshirueshëm.
Ambasada e Rusisë në Beograd në reagimin e saj ka thënë se “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë”.

Për “aktorët e huaj” do të flitet në Kuvend

Bekë Berisha, kryetar i Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështjet që kanë të bëjnë me sferën e sigurisë në vend, diskutohen vazhdimisht në këtë komision. Por, sipas tij, çështja e rritjes së ndikimit të “aktorëve të huaj dashakeq”, të cilën në deklaratën e tij e ka përmendur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, do të ngrihet si temë në takimin ardhshëm me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

“Të premten e kam një takim bashkë me ministrin, të cilin e kam ftuar dhe të premten mund të diskutojmë edhe për këtë temë”, tha Beka.

Vrajolli: Mosinteresimi i perëndimit hap rrugë për ndikimin e Rusisë dhe Kinës

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi dhe roli destabilizues i Rusisë në Kosovë është i pranishëm që nga viti 1999. Sipas tij, shqetësimi i Kosovës për rolin e tillë të Rusisë është i hershëm. Por, siç thotë Vrajolli, NATO tashmë është duke e parë se sa e dëmshme është influenca e Rusisë në rajon dhe sa ka potencial që të shkaktojë probleme brenda një rajoni ku Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë investuar vlerë të konsiderueshme të burimeve njerëzore dhe financiare për të siguruar paqe.

Milionat ruse kundër shtetësisë së Kosovës?

Por, zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, të cilët i përmend Stoltenberg, sipas Vrajollit, tregojnë se paqja nuk është e qëndrueshme dhe se nuk ekziston i ashtuquajturi konflikt i ngrirë, por ai është i hapur, pavarësisht faktit që ai tash për tash nuk është i dhunshëm.

“Mendoj se Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë shumë më vigjilente për sa u përket këtyre problemeve, për shkak se mosinteresimi i tyre në mënyrë të duhur ka bërë që Rusia dhe Kina të gjejnë hapësirën në këto vende dhe shtete si Serbia apo të tjera në rajon, të bëjnë regres për sa i përket zhvillimit të demokracisë së brendshme, duke krijuar njëfarë regjimi gjysmë-autokratik në shoqëritë e tyre dhe duke sfiduar paqen dhe sigurinë në nivel rajonal”, thekson Vrajolli.

“Nënvlerësimi i kërcënimeve”

Ai konsideron se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të jenë aq sa duhet vigjilente në raport me ndikimin e aktorëve të huaj dashakeq në sigurinë e vendit. Sipas tij, çështjet e sigurisë, kur bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Serbinë, janë gjithmonë të politizuara. Por, siç thotë ai, ato janë trajtuar me qasje dhe fjalor të kujdesshëm, në të cilat ka pasur ndikim të madh ndërkombëtar.

“Shpeshherë janë nënvlerësuar kërcënimet, për shkak të reagimeve të ndryshme ndërkombëtare. Mendoj se institucionet e Kosovës duhet t’i trajtojnë këto çështje si probleme reale”, thotë Vrajolli.

Ai shton se përballja ndaj kërcënimeve për sigurinë duhet të përfshihen në të gjitha strategjitë e institucioneve të Kosovës. Siç thotë ai, elementet dhe ndikimi i shteteve të tjera, përmes Serbisë, mund të nxisin rreziqe të shumëfishta për sigurinë dhe integritetin e Kosovës.

Hapja e zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë ishte bërë në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tre vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi i saj bëhet në disa forma të tjera, thuhet në një raport të mëhershëm të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Sipas këtij raporti, operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare.

Sfidimi i ndikimit rus

Në fund të majit, të vitit 2019, Qeveria e Kosovës e shpalli person “non-grata” (të padëshirueshëm) punonjësin rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), Mikhail Krasnoshchenkov.

Ai dhe një pjesëtar tjetër i UNMIK-ut, janë arrestuar më 28 maj pasi janë gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, teksa ka qenë duke realizuar një aksion policor për arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.

Nga shtatori i vitit 2001 e deri më 12 gusht 2021, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë janë publikuar gjithsej 835 materiale në të cilat përmendet Kosova.

Në një nga publikimet, më 26 mars 2021, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, akuzon kosovarët për krime të kryera ndaj serbëve në vitet 1998-’99.

Në një deklaratë tjetër të datës 17 qershor 2021, ajo akuzon SHBA-në se po armatos një forcë ushtarake shqiptare në Kosovë, e që sipas saj, përbën potencial të shpërthimit të konfliktit në rajon.

Ndërkaq, në muajin shkurt të vitit 2021, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës kishte akuzuar Rusinë, duke thënë se ajo ka tendenca për të penguar dhe bllokuar Kosovën. Ajo gjithashtu e akuzoi Rusinë për ndërtimin e bazës ushtarake në afërsi të Kosovës, në qytetin e Nishit në Serbi, organizimin e incidenteve në veri të Kosovës nga pjesëtarë rusë të misionit të UNMIK-ut si dhe për sponzorizime ruse, për të prodhuar lajme të rreme për Kosovën.

Ministria e Jashtme e Kosovës po ashtu kishte përmendur rolin e Rusisë në sponsorizimin e trenit me ikonografi ortodokse, që Serbia tentoi ilegalisht ta fusë në territorin e Kosovës në janar të vitit 2017.

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), në një raport të publikuar në mars 2021, thotë se përveç luftës politike e diplomatike, Rusia vazhdon të sfidojë Kosovën edhe përmes propagandës dhe përmbajtjes së rreme, të prodhuar nga mediat e kontrolluara nga Qeveria ruse.

Këto media që veprojnë në rajon, sipas raportit, vazhdimisht prodhojnë përmbajtje të rreme që ka për qëllim krijimin e narratives se Kosova është vend kriminal dhe se është vetëshpallur shtet, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

KIPRED ka thënë se, “Sputnik Serbia, Sputnik International dhe Russia Today (RT) janë në rend të parë sa i përket propagandës dhe dezinformimit ndaj Kosovës”, ndërkaq politika zyrtare ruse tenton “ta portretizojnë Kosovën si ‘quasi’ shtet dhe shtet kriminal që bënë dhunë ndaj komunitetit lokal serb, Kishës Ortodokse, që është një çerdhe e ekstremizmit islamik”.

Në një studim të Qendrës digjitale të mjekësisë ligjore në Mal të Zi, i publikuar në shtatorin e sivjetmë, thuhet se nëpërmjet një narrative të vëllazërisë së popujve ortodoksë, Moska po pengon përpjekjet perëndimore në rajon, duke përdorur mekanizma të ndryshëm të fuqisë së butë, nga Kisha Ortodokse Serbe (SOC) dhe media antiperëndimore te lidhjet me partitë populiste të krahut të djathtë.

Sipas studimit, ndër narracionet që përdor Rusia në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, është se NATO është një agresor, BE-ja është e dobët institucionalisht dhe politikisht, se SHBA dëshiron një Shqipëri të Madhe, Mali i Zi nuk ka përfitime nga anëtarësimi në NATO, ndërkaq që Rusia paraqitet si një partner historik i besueshëm.

Për këto qëllime, Kremlini, përveç mediave, përdor si mjet ndikimi edhe Kishën Ortodokse Ruse dhe Kishën Ortodokse Serbe në vendet me një pjesë të konsiderueshme të ortodoksëve në popullsinë e përgjithshme.

Ideja e krijimit të një “bote serbe”, të cilin në mjaft raste e përmend Ministri i Brendshëm i Serbisë, Allekasandar Vullin, sipas analistëve të Qendrës digjitale të mjekësisë ligjore, është një nga mjetet kryesore për përhapjen e ndikimit rus, që synon minimin e vlerave perëndimore dhe integrimin euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.

“Bota serbe” u përmend si koncept për herë të parë në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor ka pasur paralajmërime se ajo frazë rikujton aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments