Fillimisht, me datë 11 mars 2022, zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi kishte marrë vendim që shtresat e ndjeshme të shoqërisë si fëmijët deri në 6 vjeç, studentët, pensionerët si dhe invalidët e luftës dhe të punës të lirohen nga rritja e çmimeve të biletave të autobusëve si pasojë e rritjes së çmimit të derivateve.
Ky vendim ndonëse nuk u vu kurrë në zbatim, ajo gjithashtu u kundërshtua nga Shoqata e Trasportit të Udhëtarëve, çka e detyroi zëvendësministrin Hysen Durmishi ta shfuqizojë atë.
I njëjti njoftoi se kishte shfuqizuar këtë vendim, por tha edhe se çmimet e biletave janë kthyer ashtu siç ishin para krizës, pasi që çmimet e derivateve janë kthyer në gjendjen e mëparshme.
“Sot, me Shoqatën e Transportit Rrugor, u dakorduam se çmimet e biletave për kategoritë e veçanta, sipas vendimit të javës së kaluar, do të kthehen në gjendjen siç kanë qenë para fillimit të rritjes së çmimeve. Çmimet për këto kategori të veçanta të shoqërisë nuk do të rriten edhe nëse do të ketë rritje të çmimit të naftës dhe derivateve të saj”, deklaronte Durmishi 11 ditë më parë.
Megjithatë, realiteti është ndryshe nga deklarimet e tij; udhëtarët e kategorive të amnistuara shoqërore nga ky shtrenjtim ende po vazhdojnë të paguajnë çmimin e shtrenjtë.
Një lexues i Lajmi.net, pjesë e kategorisë së studentëve, në linjën Mitrovicë-Prishtinë, ka paguar një euro e 50 centë, aq sa është paraparë në shtrenjtimin e biletave nga ana e shoqatës së transportit.
Së fundi bursa ka pësuar ulje në rreth gjashtë përqind, por tek ne një litër naftë po vazhdon të blihet me çmim tejet të lartë.
Lidhur me këtë, lajmi.net mbrëmë ka kontaktuar Kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve në vend, Fadil Berjani. I njëjti tha se çmimi i Dizellit tani për tani është 1.55 centë, ndërsa Benzina është 1.30 deri në 1.32 centë.