Monday, November 25, 2024
HomeLajmePushtetit s’i mjafton kthimi i mësimdhënësve në shkolla, tash i ndëshkon për...

Pushtetit s’i mjafton kthimi i mësimdhënësve në shkolla, tash i ndëshkon për grevën

Kthimi i mësimdhënësve në punë pa ua plotësuar kushtet nuk ishte i mjaftueshëm për Qeverinë. Qeveria thotë se pagat për muajin shtator do t’u paguhen vetëm atyre që punuan, e jo atyre që ishin në grevë. Vetëvendosja në Kuvend e mbështet qëndrimin e Kryeministrit. Por, jo të gjithë mendojnë si vartësit e Kurtit. Nga LDK-ja thonë se po dënohen mësuesit për t’u dhënë mësim të tjerëve që i dalin pushtetit kundër. PDK e konsideron vendimin e Qeverisë “vepër penale”

Shtatori ka ardhur me paralajmërime se krizat e llojllojta janë të pashmangshme gjatë dimrit. Dhe, gjitha këto, nuk janë shqetësimet e vetme të kësaj vjeshte për mësimdhënësit. Qeveria ka urdhëruar ndaljen e rrogave të tyre për shtator, gjatë grevës.

Mësimdhënësit u kthyen sot në punë, ndonëse nuk pati marrëveshje dhe nuk u plotësuan kushtet e tyre. Por, dënimi ndaj arsimtareve, përfaqësuesit e të cilëve, pushteti i shpalli kundërshtarë, nuk përfundon këtu.

Nga sindikatat e arsimit shpresojnë që pagat do t’u dalin, ndonëse Qeveria ka vendosur për të kundërtën.

“Deri në momentin kur po flasim ende nuk kanë dal pagat. Presim që ato të ekzekutohen gjatë ditës. Të shtunën kur kemi pasur takim na kanë thënë që ka ndodhur një gabim teknik dhe se ato do të dalin sot” , tha Reshid Kushaj.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha sot se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva” , tha Kryeziu për Klan Kosovën.

E sinkronizuar me zërin qeveritar, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, tha se pagat nuk do të dalin.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo mos kompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Ky ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë. Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët, të cilët nuk janë në vendin e punës”, tha Kusari-Lila tha para mediave.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Mosekzekutimi i pagave nga ministri i Financave është vepër penale, dhe ne do të bëjmë kallëzim penal. Do të presim pesë ditë të ekzekutohen pagat, nëse nuk ekzekutohen do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit”, tha Tahiri.

Zyrtarja e lartë e LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu, thotë se vendimi i Qeverisë për mosekzekutimin e pagave është dënim ndaj arsimtarëve, për t’u dhënë shembull të tjerëve.

“Disiplinim në vend të së drejtës për grevë, për t’iu shërbyer edhe si shembull të tjerëve. A është ky drejtimi që ka marrë shteti ynë, duke disiplinuar qytetarët dhe punëtorët publikë?!”, ka thënë Lushaku – Sadriu.

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar deklaratën e sotme të Kusarit, e cila këmbëngul se nuk duhet t’u jepen rrogat atyre që s’punuan, ndonëse mësimdhënësit po mbanin grevë për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

“Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve”, ka shkruar Latifi.

Juristi Ehat Mifataraj është i i sigurt se ndalja e pagave për punonjësit që ishin në grevë është e kundërligjshme. Ai ka bërë edhe një përllogaritje se sa do t’i kushtonte shtetit, nëse një grevist/e bën padi për ndaljen e pagës së tij/saj.

“Përndryshe, secili grevist që paraqet Padi ne gjykate, përveç pagës, pastaj do të kompensohet edhe me shpenzimet e avokatit dhe kamatën ligjore. Me fjalë tjera, nga një pagë që mund të jetë 480 Euro për një muaj, shteti do te paguaj dikund 1500 Euro”, ka shkruar Miftaraj sot në Facebook.

Mësimdhënësit kanë thyer grevën dhe sot janë kthyer në punë, për ta nisur vitin e vonuar shkollor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments