Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Bordit, Besnik Boletini, i cili gjatë një takimi të mbajtur të mërkurën ka thënë se merr informacione që punëtorët shkojnë në punë me pizhame dhe minifunde.
Përmes një komunikate për media, SPRTK e ka quajtur skandaloze deklaratën e Boletinit, duke thënë se është fyerje për rreth 800 punonjës të RTK-së.
Sindikata ka kërkuar që Boletini ta lirojë menjëherë postin e kryetarit të Bordit të RTK-së.
“Ky është skandali i dytë mbrenda pak kohësh i kryetarit të Bordit, Besnik Boletini në raport me të punësuarit e RTK-së. Gjatë procesit të konkursit për njërën prej pozitave udhëhesëse të RTK-së, kryetari Boletini e kishte thirrur në bisedë informative kandidaten, Ilire Zajmi e cila kishte dalë e para në listë, duke i thënë asaj se procesi i konkursit është i kontaminuar. Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit”, thuhet në njoftim.
Nga SPRTK njoftojnë se në rast se nuk merren masa, do të ndërmarrin veprime radikale ku nuk përjashtohen protestat dhe greva.
“Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën. Në krye të institucioneve publike nuk kanë vend personat që fyejnë e denigrojnë vartësit e tyre. Në mediumin Publik nuk kanë vend personat që i portretizojnë vartësit e tyre si mashtrues e papunëtorë. Në Mediumin Publik nuk kanë vend ata që i portretizojnë gratë (vartëset e tyre) si seks-simbole. Mediat kanë rol t’i promovojnë gratë, t’u krijojnë hapësira ku ato ndihen të sigurta e jo të fyera të demotivuara e të kërcënuara. Këtë mendësi primitive duhet ta luftojmë të gjithë së bashku si institucione e shoqëri, dhe jo vetëm punëtorët e RTK-së”, thuhet më tej në komunikatë.
Ata kanë kërkuar nga institucionet shtetërore, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Rrjeti i Grave, Agjencia për Barazi Gjinore, Institucioni i Avokatit të Popullit, KMDLNJ dhe OSBE që të reagojnë dhe ta dënojnë gjuhën e Boletini ndaj punëtorëve të RTK-së.