Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka renditur disa gjetje që thënë se ka bërë në terren. E ato janë se vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 euro për libra dhe 30 euro për pajisje tjera shkollore nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematik, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme.
Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me “gjendjen e rëndë në vend”, bashkë me disa Drejtori të Arsimit dhe SBASHK-un, mbajtën një tryezë që për temë kishte situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty janë prezantuar disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky vendim nga MASHT-it, është shqetësues dhe i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milionë, ose mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve të kaluara.
“Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhë keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor. Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionëshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjtë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t’i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes”, tha Haradinaj.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MASHT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë problematik.
“Nëse qeveria Kurti nuk paska mjete për laptop e projektorë për shkolla që t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e Nagavcit ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte që librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Ka shtatë muaj që Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe iu kisha lutur që të keni kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor. Shqetësim tjetër është se po përballemi me punëtorë arsimorë me sëmundje të rënda, këta po duhet të shkojnë në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, duhet t’iu ndahet një buxhet dhe në vend të tyre të aktivizohen kuadro të reja”, tha Jasharaj.
Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri, ka prezantuar disa gjetje që kanë hasur nga fillimi i vitit shkollor.
“Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që iu garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50+30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë tekstet shkollore, gjetjet që ne kemi, është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshmen. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kanë kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton një prind që ai prind nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.
Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi tha se rreth 45 për qind e nxënësve deri tashmë në këtë komunë janë pa libra. E njëjta shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të pandërgjegjshëm nga diaspora që po aplikojnë t’i marrin paratë, siç tha ajo po shfrytëzojnë nga rasti./ KosovaPress