Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaPuna nga shtëpia mund të vazhdojë edhe pas pandemisë

Puna nga shtëpia mund të vazhdojë edhe pas pandemisë

Shtatëmbëdhjetë punëtorë të kompanisë softuerike “Tenton” në Prishtinë, pa ndonjë problem punuan nga shtëpia, në kohën kur në Kosovë u aplikuan masat e izolimit, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alban Sahiti nga kjo kompani.

 

Sahiti thotë se e kanë menduar që këtë formë të punës ta praktikojnë edhe pas pandemisë, pasi siç thotë ai, është lehtësuese “kur një punëtor thotë se nuk mund të vijë në zyre, por mund të punojë nga shtëpia”.

Se punëtorët mund të mos kthehen fare në zyre edhe pas pandemisë dhe ta vazhdojnë puën nga shtëpia, e thotë edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se nga bisedat që ka pasur OEAK me bizneset, disa prej tyre kanë thënë se janë duke e konsideruar këtë formë të punës.

Ai thotë se puna në distancë është menduar nga kompanitë se mund të jetë e dobishme jo vetëm për punonjësit, por edhe për punëdhënësit.

“Punëdhënësit do të reduktonin shpenzimet, siç janë qiraja, shpenzimet komunale, shpenzimet e energjisë elektrike dhe shpenzime të tjera. Ndërkaq, punëmarrësit do të mund t’i kushtonin më shumë kohë familjes”, thotë Zeka.

Por, Alban Sahiti nga kompania “Tenton”, thotë se puna nga shtëpia mund të mos pëlqehet nga të gjithë punëtorët.

“Këtu hyjnë shumë gjëra që ndikojnë për të bërë punën nga shtëpia. Njëra nga to është mentaliteti në Kosovë. Disa nga punëtorët, ndonjëherë nuk duan nëse ju ofrohet mundësia që të punojnë vetëm nga shtëpia. Ka disa prej atyre që dëshirojnë të dalin në zyre, të kenë mundësinë e shfrytëzimit të pauzës së drekës e të tjera dhe të mos jenë të mbyllur në shtëpi”, thotë ai.

Sahiti thotë se puna nga shtëpia që kanë bërë punëtorët e kësaj kompanie, ka qenë produktive. Por, nëse në të ardhmen mendohet që të punohet vetëm nga shtëpia, punëtorët, thotë ai, duhet të trajnohen me këtë formë të punës.

Në Kosovë nuk janë bërë hulumtime se sa për qind e të punësuarve, gjatë kohës së pandemisë kanë punuar nga shtëpia.

Por, në muajin mars 2020, kur në Kosovë u paraqiten rastet e para me koronavirus dhe kur vendi u fut në izolim, pothuajse të gjithë ata të punësuar që patën mundësi të punonin nga shtëpia, filluan ta bënin këtë.

Ndërkohë, me lirimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, shumë kompani ofruan sistem hibrid të punës, me javë apo ditë pune nga shtëpia dhe anasjelltas.

Por, jo të gjitha profesionet kanë mundësi ta aplikojnë këtë formë të punës. Në Kosovë, profesionet që aplikuan punën nga shtëpia ishin profilet e ndryshme të teknologjisë, fushës së ekonomisë e të tjera.

Tregu i punës ndryshon pas pandemisë

Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin ‘Riinvest’, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë të thuhet saktë se çfarë ndikimi do të ketë pandemia në tregun e punës, por një gjë, shton ai, është e sigurt që tregu i punës nuk është më si para pandemisë COVID-19.

“Puna në distancë është bërë e zakonshme. Konsideroj që do të jetë puna e re në normalitetin e ri. Por, jo për të gjithë. Puna në distancë mund të bëhet vetëm për profesionistë mirë të shkolluar dhe një gjë e tillë nuk mund të thuhet për ata me nivel më të ulët të shkollimit, që kryesisht punën e kanë pasur në kontakt të përditshëm me njerëzit tjerë”, thotë Vokrri.

Transformimi i punës përmes digjitalizimit dhe automatizmit, thotë Vokrri, ka qenë një trend që është parë edhe para pandemisë, por gjatë vitit të kaluar është parë një përshpejtim i këtij transformimi.

“Punët e së ardhmes do të jenë ngushtë të lidhura më shkathtësitë digjitale. Do të ketë kërkesë për punë për punëtorë që i posedojnë këto shkathtësi. Në aspektin afatgjatë është i domosdoshëm një reformim i rëndësishëm sistemit arsimor që do të iu lehtësoj të rinjve që futen në tregun e punës me përballjen me revolucionin teknologjik”, thotë Vokrri.

Tendenca e punës në distancë gjatë izolimit u praktikua kudo në botë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments