Muhamet Mavraj, njëri ndër organizatorët e protestave të vitit 1997 deklaroi se kishte pasur ftesë nga kryeministri Albin Kurti që sot të merrte pjesë në homazhe te varri i profesorit Ejup Statovci dhe po ashtu edhe në takim me organizatorë të tjerë, por që ky nuk kishte pranuar të shkojë.
Ai deklaroi se arsyeja për këtë është që ai e ka edhe si parim që kur i ka shokët në pushtet nuk i shkon dhe nuk i përgjigjet ftesave të tyre për të shkuar as një kryeministri, as në shtëpitë e tyre e në takime zyrtare, sepse siç tha, “në fund të fundit jam edhe botues gazete”.
Përveç kësaj, Mavraj tha se është i zhgënjyer me Qeverinë për marrëveshjen e fundit të arritur mes Kosovës e Serbisë për çështjen e targave, dhe po ashtu edhe me disa vendime të Kurtit që ai i quajti të çuditshme.
“Disa nga ato janë të çuditshme, disa nga sjelljet e tij janë të çuditshme. Pjesëmarrja ne zgjedhje në Shqipëri ishte një budallallëk që s’matet me asgjë hiç, është e kotë, është një ftohje e panevojshme e marrëdhënieve me Shqipërinë”, tha ai për Klan Kosova.
“Pastaj janë disa tone që s’janë të përshtatshme për marrëdhëniet tona me SHBA-të. Duhet krejtësisht ndryshe të ruhen miqtë, të ruhen aleatët, e shihni tash situatën se pa ta s’do të dilnim nga kjo situatë ku ne ishim, kemi mundur të dilnim shumë më keq se sa kjo marrëveshje që është tani sa i përket tabelave të veturave”.
“Mendoj se i duhen më shumë konsultime ose me shumë kthim ndoshta në atë frymën e shoqërisë së vjetër që të mos e humb rrugën. Shoqëria e vjetër është fryma që e kemi pasur gjithmonë, orientimi ynë ka qenë i saktë – NATO, SHBA, BE – ky trekëndësh nuk luan, dhe në këtë plan pak jam i shqetësuar.
“Sa i përket marrëveshjes së arritur për targat, jam zhgënjyer me zbritjen e nivelit të policisë speciale të Republikës së Kosovës në nivel me ato bandat që kanë bllokuar rrugët atje. Mendoj që kjo është e padrejtë ndaj policisë speciale. Siç e dini, ata do të tërhiqen njëkohësisht përgjatë tetë orëve dhe asnjëra palë nuk mund të tërhiqet një minutë para ose pas tjetrës dhe kjo më ka lënduar shumë”, përfundoi Mavraj.